Marotta: Interi, më mirë se Juvja e 2010-ës
Pasi u emërua administrator i deleguar i Interit me fuqi mbi zonën sportive të klubit, Giuseppe Marotta ka nisur zyrtarisht aventurën zikaltër.

Për ish-drejtuesin e Juventusit, të premten ka kaluar mbrëmjen e parë në qendrën sportive “Appiano Gentile”: ka darkuar së bashku me gjithë pjesën tjetër të bordit (Auzilio, Gardini, presidentin Zhang dhe Antonelon), trajnerin Luciano Spalletti dhe skuadrën, rreth orës 20:00: një moment i rëndësishëm, për t’iu prezantuar lojtarëve (takoi secilin një nga një) e për t’u dhënë një mesazh të rëndësishëm pas daljes së hidhur nga Champions-i.

Sakaq, dje ka qenë ndeshja e parë (Inter-Udineze: e ndoqi përkrah Zhang Jr.) si pjesëtar interist, përpara së cilës Marota është ndalur nga gazetarët e “Sky Sport” për t’iu përgjigjur disa temave.

“Nisemi nga një situatë e ndryshme krahasuar me Juven e 2010-ës, kur u transferova te bardhezinjtë: qëndrojmë më përpara. Diferenca me ta është ende e madhe, do nevojiten muaj apo disa vite për t’i arritur, por nuk kërkojmë alibi.

“Duam të fitojmë dhe të arrijmë majat”. Spaleti ka mbështetjen e të gjithëve: “Konte? Luciano është një trajner i shkëlqyer, i duhen mundësuar kushtet për të punuar i qetë. Edhe ai u transferua tek Interi në një moment të vështirë dhe arriti pozicione të rëndësishme. Është normale që të ketë ulje-ngritje, jemi një grup i ri. Eksperienca në Champions do nevojitet për vitin e ardhshëm, siç ndodhi me Juventusin”.

“Janë dinamika të pranueshme në brendësi të një sezoni. Të shohim përpara me qetësi dhe optimizëm. Kemi ende objektiva për të arritur”.

“Mauro është kapiteni dhe goleadori ynë, do përballemi me këtë temë në kohët e përshtatshme. Merkato? Fiton kush shpenzon më shumë. Rëndësi ka klubi dhe puna, struktura dhe objektivat e vendosura. Paratë janë plotësuese”.
Shtuar më 16/12/2018, ora 18:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori