Martino: Dështimi te Barça, faji im
Pëlqej
Gerardo Tata Martino u prezantua si pasuesi i Alejandro Sabellas në stolin e Kombëtares së Argjentinës. Për trajnerin 51-vjeçar marrja e drejtimit të përfaqësueses që në Brazil u shpall nënkampione Bote është një nder i madh.

"Të jesh trajneri i skuadrës që përfaqëson shtetin ku ti je lindur dhe rritur është diçka fantastike. Drejtimi i Kombëtares së Argjentinës për mua është një krenari e papërshkrueshme. Tashmë dua t’iu them që jam gati për të punuar fortë në stërvitje, në mënyrë që të arrimë objektivat tanë. Nuk mund të resht së përsërituri se stoli i Argjentinës është një privilegj jashtëzakonisht i madh për mua", është shprehur Martino.

Tata Martino do të mbahet mend gjatë nga tifozët e Barcelonës si trajneri që në krye të skuadrës katalanase nuk arriti të fitonte asnjë trofe, duke i dhënë fund një cikli të suksesshëm që te Barcelona kishte nisur me marrjen e drejtimit të blaugranave nga Pep Guardiola në vitin 2008.

"Jam ende i mërzitur që nuk arritëm të fitonim asnjë trofe sezonin e shkuar me Barcelonën. I pranoj të gjitha kritikat dhe po ju them edhe njëherë tjetër që përgjegjësia për dështimin është e gjitha e imja. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të them se viti im i parë dhe i vetëm te Barcelona nuk ishte aspak i suksesshëm", vijoi tekniku i ri i Argjentinës..

Gjithsesi Martino te Argjentina do të stërvisë sërish Lionel Messin dhe Javier Mascheranon, dy lojtarë që për të ishin thelbësorë edhe te Barcelona.

"Është një avantazh për mua që kam punuar edhe më parë me Leon dhe Mascheranon. Roli i Messit në ekip do të jetë i njëjtë me atë te Barça pasi ai është futbollisti më i mirë në Botë. Përsa i përket Javierit dua të them që ai është një lojtar vital dhe një lider për kombëtaren tonë. Mënyra se si Mascherano sillet në fushë është për t’u marrë shembull nga të gjithë lojtarët e tjerë", përfundoi Gerardo Tata Martino. /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 15:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori