Martino: Osasuna finale para El Clasicos
Pëlqej
Vetëm 3 fitore në 6 javët e fundit, është ky rendimenti i Barcelonës në Primera Division, dhe me një ecuri të tillë kaq të dobët që në fakt nuk ishte parë prej kohësh prej skuadrës blaugrana në kampionat tashmë ky ekip nuk mund të gabojë dot më. Pas disfatës me Real Valladolid me të drejtë Gerardo Martino lë mënjanë "El Classico"-n dhe përqëndrohet vetëm te ndeshja e radhës.

Në konferencën e zakonshme për shtyp trajneri argjentinas preferon të fokusohet në takimin ndaj skuadrës navarre Osasuna, madje 51-vjeçari nga Rosario e konsideron këtë ndeshje me një rëndësi të jashtëzakonshme në prag të sfidës së madhe që do të luhet javën e ardhshme në kryeqytetin spanjoll.

"Shpeshherë nuk ka fjalë magjike që të ndryshojnë situatën në vetëm 3 apo 4 ditë. Një trajner duhet të gjejë mënyrat e duhura për të nxitur ekipin, si dhe për të motivuar skuadrën që të vazhdojë të luftojë. Varet nga ne vetë dhe arsyet le t’i gjejmë në ditët në vazhdim. Ndeshja me Osasunën ka një rëndësi jetike në funksion të asaj cfarë do të ndodhë javën e ardhshme. Nëse ne nuk e konsiderojmë ndeshjen ndaj Osasunës si një finale atëherë vetëm sa do ta komplikojmë akoma më shumë situatën në kampionat. Futbollistët e dinë që unë nuk merrem shumë me zërat e merkatos. Dëmtimi i Piquet në parim është dicka e lehtë, gjithsesi ne na duket më mirë që ai të mos luajë ndaj Osasunës. Nëse do të kemi nevojë në qendër të mbrojtjes përvec Bartra e Mascherano janë gjithashtu edhe lojtarë të tillë si Adriano, Busquets dhe Song", ka thënë Martino.

Më pas Martino flet edhe për gjendjen e Neymar si dhe situatën aktuale në ekip.

"Do të kemi kohë për të pushuar dhe për të përmbysur situatën, por kemi shanset tona në të gjitha kompeticionet. Nuk është keq të kesh një javë pushim për të punuar i qetë. Unë e di se me kaq shumë aktivitete skuadrat elitare vihen shpesh në vështirësi për të luajtur në të gjitha kompeticionet. Përsa i përket Neymar sulmuesi brazilian ka luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe në qendër, ndërsa në takimin e fundit për herë të parë u provua nga e djathta. Gjërat bëhen të vështira kur një futbollist qëndron një muaj jashtë për arsye dëmtimi, e për më tepër kur ky është një lojtar i një niveli shumë të lartë", vijoi tekniku argjentinas.

Ndeshja ndaj Osasunës do të luhet më orën 17:00 në "Camp Nou", ndërsa pesë muaj më parë në Pamplonë takimi i fazës hapëse ndërmjet këtyre dy skuadrave u mbyll në barazim pa gola. /albeu.com/
Shtuar më 15/03/2014, ora 19:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori