Martino siguron: Messi nuk ikën nga Barça
Trajneri i Barcelonës Gerardo Martino përjashtoi kategorikisht mundësinë që Lionel Messi të largohet nga klubi blaugrana, verën e ardhshme. Në fakt ylli argjentinas është përfshirë në një zënkë në distancë me zv/presidentin Javier Faus pas një intervistë të dhënë për një nga radiot vendase ku sulmuesi i skuadrës deklaroi hapur për këtë drejtues të klubit se nuk e kupton aspak futbollin. Spekulimet janë shtuar ndjeshëm nëse Messi-t do t’i ofrohet apo jo një kontratë e re e përmirësuar, megjithatë Tata Martino qartësoi gjithcka duke konfirmuar faktin se ai nuk është aspak i shqetësuar për një gjë krejtësisht private dhe që për më tepër i takon dy personave në fjalë.

"Nuk është e vërtetë që Messi do të largohet. Personalisht unë jam i shqetësuar për mënyrën sesi luan ekipi dhe nuk jam aspak i shpërqëndruar nga cështje të tilla, që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me futbollin. Unë dëshiroj të flas vetëm për çështje që i përkasin futbollit. Unë përpiqem si ta përmirësoj akoma më shumë lojën e skuadrës, apo që ta bëj ekipin të fitojë. Mua si trajner i Barcelonës pikërisht këto më duken gjërat më të rëndësishme, dhe çështjet për të cilat unë duhet të shqetësohem në të vërtetë. Nuk mund të flas më shumë për një cështje të tillë sepse në fakt nuk jam shumë i informuar. Nuk e kam fare idenë se çfarë ka thënë zv/presidenti i Barcelonës apo qoftë edhe Messi, pasi këto janë diskutime specifike", është shprehur Martino.

Aktualisht Messi po riaftësohet në Argjentinë nga një dëmtim që pësoi më 10 nëntor ndaj Real Betis, që është njëherësh edhe dëmtimi i tij i tretë gjatë vitit 2013, sidoqoftë trajneri dhe bashkëkombasi i tij Gerardo Tata Martino ka planifikuar t’i bëjë një vizitë 26-vjeçarit gjatë pauzës dimërore, për të parë nga afër progresin e bërë.

"Kjo nuk është diçka e planifikuar që më parë, megjithatë është e sigurtë që Messi menjëherë pas Krishtlindjeve do të stërvitet në Rosario dhe unë do të shkoj ta shikoj nga afër në një nga këto seanca përgatitore. Ne jemi krejtësisht të informuar mbi progresin e tij", u shpreh tekniku argjentinas. /albeu.com/
Shtuar më 21/12/2013, ora 18:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori