Mavraj: Jemi lojtarë normal jo yje, çfarë kërkojnë tifozët që na kritikojnë
Pëlqej
Mërgim Mavraj është romantik jashtë futbollit, por në sport zgjedh të jetë realist. Nuk besonte që Shqipëria mund të kualifikohej për në Botëror duke parë vështirësinë e grupit, por ka bindjen se në Europian shanset janë më të mëdha. Mbrojtësi kuqezi analizon barazimin me Maqedoninë dhe flet për ndryshimin që ekziston mes Panuçit dhe De Biazit. Ai tregon për “Panorama Sport” edhe momentin në ndeshjen e Strumicës kur mund të kishte goditur portën, por në fakt i pasoi Roshit.

MAQEDONIA

“Pika që morëm, ishte shumë e rëndësishme në përgjithësi. Ishte e rëndësishme për moralin e skuadrës, por edhe për moralin e tifozëve. Ishte e rëndësishme edhe për shqiptarët që jetojnë këtu. Më mirë një pikë sesa një humbje. Rezultati 1-1 ishte edhe pak me fat, por duke pasur parasysh që penalltia nuk ishte… Në fund fare askush nuk pyet se si ke luajtur mirë apo keq, nëse fiton i jep dorën kundërshtarit sepse ky është futbolli”.

ANALIZA

“Performanca nuk ishte ashtu siç e njohim ne Shqipërinë. Pjesën e parë ishim pa guxim në repartin e sulmit. Nuk i krijonim vështirësi kundërshtarit, pastaj në pjesën e dytë u përmirësua situata falë ndryshimeve të trajnerit”.

OBJEKTIVAT

“Grupi që kemi pasur në këto eliminatore Botërori ka qenë shumë i vështirë. Me Italinë dhe me Spanjën nuk ka besuar asnjë se do të arrinim kualifikimin, për të qenë realistë. Normalisht që ka pasur disa njerëz që kanë qenë shumë romantikë, por duke qenë realistë e dinim që nuk mund të kapnim vendin e dytë”.

E ARDHMJA

“Besoj se shanset për në Europian janë më të mëdha, pa e marrë parasysh se kush do të jetë në grupe. Duke parë se Spanjës i hapëm shumë punë në vendin tonë, duke pasur parasysh sa pikë kemi marrë në këto eliminatore, mund t’ia dalim. Tani ndoshta jemi pak të mërzitur sepse nuk treguam nivelin tonë ndaj Maqedonisë, por jemi optimistë për të ardhmen. Kemi lojtarë të rinj që do të na ndihmojnë shumë”.

NË SULM

“Nëse i pyesim të gjithë tifozët, dalin 10 milionë trajnerë. Të gjithë kemi dëshirë të luajmë më bukur dhe në sulm për të tërhequr tifozët tanë që të thonë: Ej, çfarë goli bëri Mërgimi, çfarë goli bëri Armando. Nuk duhet ta harrojmë realitetin. Jemi çuna të nivelit normal. Nuk jemi yje për të krijuar lojë të bukur, por sigurisht që do të përmirësohemi. Edhe trajneri e kërkon këtë gjë, por do kohën e vet. Gjërat nuk ndryshojnë për një javë, apo për një grumbullim”.

PENGU

“U pendova shumë që nuk e godita portën në momentin që avancova me Maqedoninë. Roshi po bërtiste dhe po kërkonte pasimin, por duhet të kisha goditur. Isha shumë afër”.

Shtuar më 10/09/2017, ora 09:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori