Mbarojnë "festat" për Mourinhon, portugezi pranë shkarkimit
Muaji i mjaltit ka përfunduar dhe kohët të vështira po shfaqen në dimrin e dytë të Jose Mourinhos në Manchester.

Pas muajve të parë ku “Special One” shkoi deri në objektivin për të synuar trashëgiminë Ferguson, tashmë duket se mes klubit dhe trajnerit portugez po fillon një erë e acartë.

Mourinho është një prej trajnerëve të paktë në planet që objektivat e merkatos i konkretizon falë edhe presionit që ka bërë ndaj klubeve ku ka punuar, por në “Old Trafford” duket se drejtuesit e lartë nuk ia kanë ngopur plotësisht oreksin luzitanit që pas pjatave të para dhe të dyta Lukaku, Lindelof e Matic dëshironte edhe një embëlsirë nga Milano.

Perisic u kthye në një fiksim për numrin 1 të stolit të djajve të kuq por drejtuesit e klubit nuk ishin të gatshëm të bënin marrëzi për ta transferuar kroatin në Premier League dhe sigurisht që ky vendim shkaktoi edhe krisjen e parë të madhe. Manchester United shpenzoi 164 milionë Euro në merkaton e verës por Mourinho nuk hoqi dorë deri në orën e fundit të merkatos për të blerë sulmuesin zikaltër për të cilin, shoqëria milaneze shfaqi pretendime të mëdha ekonomike. Ishin ditë vërtet frenetike ato të muajit gusht ku përplasja mes palëve ishte totale dhe me kalimin e muajve, zërat për një interesim të PSG i kanë tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet.

Ky është vetëj sezoni i dytë i portugezit që dukej se kishte gjetur dimensionin ideal për të aplikuar idetë e tij, por humbja në transfertën e Chelseat dhe shkëputja nga vendi i parë në klasifikim duket se do ta bëjnë më të acartë dimrin e portugezit në “Teatrin e Ëndrrave”. /albeu.com/
Shtuar më 09/11/2017, ora 13:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori