Mbërrin oferta e parë e Barcelonës për Martinez, 70 milion euro dhe dy lojtar
Barcelona vijon të jetë në kërkim të një sulmuesi, pasi Luis Suarez nuk ofron më garanci për vetë moshën që ka dhe në krye të listës mbetet argjentinasi i Interit, Lautaro Martinez, që sponsorizohet edhe nga kapiteni i katalanëve, Lionel Messi.

Sulmuesi argjentinas ka një klauzolë prishjeje të kontratës me ziokaltrit kundrejt shifrës së 111 milionë eurove, ndërsa sipas mediave italiane, klubi i Barcelonës ka bërë gati një ofertë joshëse për zikaltrit.

Bëhet fjalë për 70 milionë euro kesh dhe dy futbollistë vlerë e të cilëve përllogaritet rreth 60 milionë euro, pra në total 130 milionë euro për të marrë futbollistin argjentinas, që këtë sezon po shkëlqen me Interin.

Sa u përket futbollistëve të ofruar janë portugezi Semedo, që vlerësohet rreth 40 milionë euro dhe mesfushori kilen Arturo Vidal, që vlerësohet rreth 20 milionë euro dhe që është një nga të preferuarit e Antonio Contes.

Megjithatë te Interi momentalisht këmbëngulin për të arkëtuar vetëm para kesh dhe për të mos përfshirë futbollistë të tjerë në shkëmbim, për më tepër që e konsiderojnë të lartë vlerësimin e Barcelonës për të dy lojtarët.

Palët duken ende larg një akordi final, por tashmë është thuajse e sigurt që e ardhmja e Lautaro Martinez do të jetë larg Milanos, pasi përveç Barcelonës, edhe Reali i Madridit është gati të paguajë për shërbimet e tij.
Shtuar më 03/03/2020, ora 08:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori