Mblidhet përfaqësuesja "mbarëkombëtare"
Pëlqej
Albeu.com
Prishtina do të përjetojë në mënyrë të veçantë "Ditën e Flamurit", duke mbledhur në Prishtinë të ashtuquajturën "përfaqësuese mbarëkombëtare".Disa nga futbollistët më të shquar të përfaqësueses shqiptare të futbollit, por edhe Njazi Kuqi që luan për Finlandën, Artim Shaqiri për Maqedoninë apo edhe Besjan Idrizaj, talenti që luan për Austrinë, do të jenë të mbledhur në këtë datë të veçantë për t‘u vënë përballë seleksionim të Kosovës, të drejtuar nga trajneri Edmond Rugova. Normalisht, bëhet fjalë për një spektakël për të promovuar vlerat e futbollistëve shqiptarë ngado që janë, një iniciativë për t‘u përshëndetur kjo e Federatës së Futbollit Kosovar (FFK). Ide e cila është përmendur shumë herë edhe në Shqipëri, por fatkeqësisht pa gjetur asnjëherë zbatim.

Trajneri Rugova dhe drejtuesit e FFK-së kanë kontaktuar personalisht me të gjithë lojtarët e ftuar në këtë eveniment festiv duke marrë përgjigje pozitive nga të gjithë ata që nuk kanë pasur impenjime me skuadrat e tyre në këtë datë. Nga përfaqësuesja shqiptare kanë konfirmuar deri tani pjesëmarrjen e tyre emra si: Armend Dallku, Debatik Curri, Besnik Hasi dhe Klodian Duro. Konfirmimi ka ardhur edhe nga sulmuesi Milaim Rama, i cili është aktivizuar me Kombëtaren e Zvicrës, mesfushori Artim Shaqiri që luan për Maqedoninë, Njazi Kuqi që luan për Finlandën, apo edhe Besjan Idrizaj, futbollisti i Liverpulit që luan me ekipin e moshave të Austrisë. Të gjithë shqiptarë me një qëllim, të festojnë "Ditën e Flamurit" para sportdashësve të shumtë në Prishtinë. Në listën e hartuar për këtë ndeshje, ishin përfshirë fillimisht edhe emrat e Igli Tares dhe Valon Behramit. Por dëmtimi i këtij të dytit ka prishur paksa planet, pasi ekipi i Lacios është shprehur kundër aktivizimit të tyre, për sa kohë që nuk është një datë zyrtare ndeshjesh ndërkombëtare. Ndërkohë, priten konfirmime për këtë ndeshje nga shumë emra të tjerë mes të cilëve Ardian Gashi, Mehmet Dragusha dhe portieri me origjinë kosovare i Beshiktashit, Ramazan Kurshumlu. Ndërkohë, për arsye të impenjimeve të tyre me klubet përkatëse, nuk do të munden të paraqiten para publikut të zjarrtë kosovar Lorik Cana, Përparim Hatemaj, Arian Beqaj, Besart Berisha dhe Shefki Kuqi. Të gjithë këta futbollistë nuk kanë mundur t‘u shmangen impenjimeve me klubet dhe pavarësisht dëshirës së madhe, nuk do të zbresin në fushë në radhët e "përfaqësueses mbarëkombëtare".

"Djemtë kanë qenë entuziastë për këtë ndeshje, sidomos ata që luajnë jashtë Kosovës. Shumica e tyre janë shprehur të gatshëm të vijnë dhe shpresoj se ata që kanë mbetur do ta bëjnë këtë gjatë ditëve në vazhdim. Në kontaktet me ta, kam fituar bindjen se meritojnë çdo respekt të mundshëm", ka deklaruar Rugova për mediat, duke lënë të kuptohet se edhe "të huajt" do të mirëpriten në Prishtinë për këtë festë të madhe shqiptare, pavarësisht fanellës me të cilën luajnë në arenën ndërkombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që në Prishtinë organizohen manifestime të tilla festive me futbollistët shqiptarë. Në 6 shtator të vitit 2002, stadiumi i Prishtinës ka pritur ndeshjen historike Kosovë-Shqipëri, ku rezultati 0-1 ka qenë thjesht një statistikë e kotë përballë festës që është përjetuar atë natë të paharrueshme në kryeqendrën e Kosovës. Ndeshja do të kujtohet për debutimin e Canës në radhët e përfaqësueses shqiptare, por edhe të Mehmet Dragushës, i aktivizuar me përfaqësuesen kosovare në këtë takim. Ndërkohë, ajo ka qenë edhe ndeshja e fundit e sulmuesit kosovar, Ardian Kozniku, i cili me fanellën e Kroacisë ka arritur të fitojë vendin e tretë në Botërorin e vitit 1998. Nëse Kosova ka shprehur gjithmonë gatishmërinë të organizojë ndeshje të tilla, FSHF nuk ka arritur ende të organizojë takime festive të këtij niveli, edhe pse mundësitë janë shfaqur shpesh në vitet e fundit. Ermal Kuka, Gazeta Shqip
Shtuar më 26/11/2006, ora 13:09
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori