Mbreterit shkaterruan Sevillen (VIDEO)
Albeu.com
2:4 eshte rezultati perfundimtar i derbit te dytë te javës së 33-të në La Liga, i zhvilluar në Sanchez Pizjuan ndërmjet Sevillas dhe Real Madridit.Mbretërit e filluan ndeshjen me skuadër të përgjysmuar duke llogaritur mungesat e tilla si ajo e Heinzes, Pepes, Robbenit dhe Sneijderit, por duhej të shënonin fitore me çdo kusht për të ngushtuar diferencën e pikëve me Barcelonën, e cila të shtunën mbrëma barazoi në Mestalla kundër Valencias.

Në gjysmën e parë të takimit skuadra vendase tregoi lojë shumë më të mirë, sidomos në 25 minutat e para, kur Los Blancos nuk vëreheshin në fushë.

Pikërisht në këto minuta të para erdhi goli i parë në ndeshje i shënuar nga Renato (17’).

Përveç golit të shënuar andaluzianët shpërdoruan edhe disa raste të mira për të krijuar avantazh më të lartë, mirëpo nuk e arritën këtë gjë duke mos qenë të saktë përballë Iker Casillasit.

Nga ana tjetër, për mysafirët dy raste shumë të mira i pati Gonzalo Higuain (30’ dhe 31’), i cili u tregua vetjak dhe i pasaktë përballë Palop.

Në sekondat e fundit të pjesës së parë, legjenda e Real Madridit, kapiteni Raul Gonzales barazoi shifrat, pas një krosimi të ulët të Christoph Metzelder dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë Reali u tregua skuadër më e mirë dhe më stabile në fushë dhe kjo rezultoi edhe me shënimin e tre golave.

Ishte sërish simboli i Los Blancos, Raul, lojtari i cili e mposhti për të dytën herë portierin Palop (63’), për t’ia dhënë avantazhin skuadrës mysafire.

Tre minuta më vonë (66’), Raul Gonzalez Blanco kompletoi hat-trickun e tij pas një gabimi të portierit vendas, i cili ia dhuroi një top kapitenit madrilen.

Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (80’), i inkuadruari në lojë në pjesën e dytë Diego Capel, ngushtoi epërsinë në 3-2, pas një gabimi të ish-lojtarit të Sevillas, Sergio Ramos.

Në minutat shtesë të takimit (90’+2), Marcelo shënoi golin e katërt për Realin, i cili fundosi shpresat e Sevillas për barazimin e rezultatit.

Me këtë fitore, Real Madridi ngushton diferencën në vetëm katër pikë me liderin e La Ligas, Barcelonën, për të shpresuar për një fitore në El Clasico që zhvillohet javën e ardhshme në Santiago Bernabeu.

Ja golat dhe momentet kryesore:

Shtuar më 27/04/2009, ora 05:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori