Mbyllet me barazim sfida mes Partizanit dhe Kukësit
Me shumë mungesa, me shumë probleme. Me Ardit Hilën që lë fushën në pjesën e parë për shkak dëmtimi.

Me Trashin që improvizohet në qendër të mesfushës, me Kalarin që luan si një 18-vjeçar! Ka shumë fjalë për ta përkufizuar këtë ndeshje mes Kukësit e Partizanit, por mjaftojnë vetëm katër: Të kuqtë hipotekojnë titullin! Ramadan Ndreu nuk ka kapitenin Shameti dhe Et’hemin të skualifikuar, ndërsa Gega ka shumë më shumë probleme.

Mala dhe Hebaj në tribunë, Telushi në spital, Idrizaj ka mbyllur sezonin dhe Rexhepi i skualifikuar. Kaq mjafton për të vënë në alarm cilin do trajner, që ka gjysmën e formacionit jashtë, por jo Skënder Gegën.

Kukësi e nis më mirë sfidën, Partizanit i duhen disa minuta që të gjejë ritmin e “arnimeve” të bëra. Por pas disa momenteve ku Kukësi krijon shkëndija, është Partizani që gjen ritmin e duhur dhe vë jo pak në vështirësi prapavijën. Por nëse Gega ka pasur telashe para ndeshjes, i shtohet dhe një tjetër. Ardit Hila dëmtohet dhe lë fushën në minutën e 30-të, por kjo nuk demoralizon Partizanin, që bëhen edhe më kërcënues në mesfushën kundërshtare shkruan bw.

Ndreu kërkon të shkundë të tijtë dhe bën ndërrimin e goditur, hedh në fushë Rexhinaldon në fillimin e pjesës së dytë dhe mozambikasi nuk zhgënjen, kur nga goditja e dënimit çel rezultatin me një gol të shkëlqyer. Në festë Kukësi, Gega kërkon të mbledhë të tijtë. Largon Koten, zhvendos Trashin në qendër dhe fut Kalarin në krah. Lëvizje të goditura.

Partizani gjen fleksibilitet dhe futet më shpesh në zonë dhe, në një moment të tillë, Cuculi pengon Asanin, që fiton nj 11 metërsh, të cilin e kthen vetë në gol. 1-1, Kukësi tronditet dhe nuk arrin të bëjë asgjë më tej, ndërsa Partizani me pak kujdes mund të kishte gjetur dhe golin e dytë, por gjithsesi edhe barazimi është i gjithi për t’u përqafuar, pasi me 9 ndeshje nga fundi i kampionatit, distanca mes Partizanit dhe Kukësit mbetet e pandryshuar, 9 pikë.

KUKËSI: Frashëri, Maliqi, Krasniqi, Cuculi, Rrumbullaku, Teqja, Dzaria, Rroca, Rama, Kordeiro, Shkurtaj. Trajner: Ramadan Ndreu

PARTIZANI: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Hila, Kote, Mensah, Asani, Çinari (Mala), Bardhi. Trajner: Skënder Gega
Shtuar më 29/03/2019, ora 20:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori