Media holandeze e bëjnë fakt të kryer, nesër dita e prezantimit të De Ligt
Heshtja e ditëve të fundit nuk fsheh prapa asnjë surprizë të pakëndshme. Përkundrazi, marrëveshja Juventus-De Ligt garantohet se është mbyllur për shumën e 67 milionë eurove në total, në favor të Ajaksit, por po përfundohen vetëm burokracitë finale.

Madje, nga Holanda janë të bindur edhe për ditën e zyrtarizimit dhe, pse jo, edhe të prezantimit të 19-vjeçarit. Ajo do të jetë e shtuna (nesër), pasi në këtë mënyrë, Matijs De Ligtit nuk do t’i duhet që të niset fillimisht për fazën përgatitore që Ajaksi do të zhvillojë në Austri, por do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Mauricio Sarri, i cili do ta ketë në dispozicion futbollistin për turneun aziatik, “International Champions Cup”, i cili do të fillojë më 19 korrik.

Dhe është sërish e përditshmja holandeze “De Telegraaf”, gjithmonë shumë e informuar mbi këtë tratativë të nisur prej shumë kohësh, ajo që jep detajet e fundit. Fundja, jo më kot edhe menaxheri i qendërmbrojtësit, Mino Raiola, ka folur vetëm për këtë burim, në mënyrë ekskluzive, sa herë që i është kërkuar të japë risitë e fundit për bisedimet mes palëve.


Ndërsa dje, specifikohet dhe, pse jo, mund të ketë qenë vetë Mino Raiola që ia ka ofruar faktet e fundit, se futbollisti holandez do të zbarkojë dhe do të prezantohet ditën e nesërme në Torino.

Nëse Matijs De Ligt ka hedhur të gjitha firmat në akordin e gjetur prej kohësh me kampionët e Italisë, tani pritet të sistemohen vetëm detajet e fundit mes Juventusit dhe Ajaksit, për të zyrtarizuar gjithçka. Pas bisedimeve të ditëve të fundit dhe ofertës bardhezi fillestare, dje është dakordësuar gjithçka mbi bazën e 67 milionë eurove, përfshirë edhe bonuset.

Kjo ofertë ka qenë shumë më e lartë sesa 50 milionët plus bonuse fillestare, të cilat kanë vënë me shpatulla pas murit Ajaksin, edhe si rrjedhojë e dëshirës së lojtarit për të luajtur në Torino dhe jo te Barcelona apo PSG-ja.
Shtuar më 12/07/2019, ora 09:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori