Mediat britanike "masakrojnë" Van Gaal-in
Pëlqej
Muaji i mjaltit nuk ka zgjatur shumë për Louis van Gaal në aventurën e tij më të re. Mediat britanike i janë hedhur të gjitha në sulm trajnerit holandez, të cilin deri disa ditë më parë e quanin "Mbreti Louis" pas turit të suksesshëm të Manchester United në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmi frontal ka ardhur menjëherë pas fillimit të sezonit në Premier League me Swansea City që u largua me 3 pikë të plota nga Old Trafford.

Kështu "Mail on Sunday" për kryetitullin luan me emrin e Van Gaal për të shprehur startin e mallkuar të sezonit për "Djajtë e Kuq", ndërkohë që nga e shkuara rikthen hijen e David Moyes. Në një intervistë ekskluzive për këtë të përjavshme, ish tekniku i United është shprehur se synonte të merrte Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldon në "Old Trafford", por drejtuesit nuk i lanë shumë kohë në dispozicion.

Shumë e ashpër në faqe të parë edhe gazeta "The Independent on Sunday", që trajnerin e quan Louis Van Hungërima, shoqëruar me portretin nervoz të holandezit. Humbjen e Manchester United, të parën në shtëpi pas 42 vjetësh në një fillim sezoni, e përditshmja "The Sun" e pagëzon me kryetitullin Shkërmoqje në copa, ndërsa tabloidi "Sunday People" e vë theksin te bllokada që Van Gaal i ka ngritur treshes Nani, Anderson dhe Zaha në ekipin e parë.

Edhe për "Sunday Mirror", disfata e United qëndron në faqe të parë, vetëm se këtu i jepet rëndësi kërkesës së holandezit për një revolucion në skuadër, pasi lojtarët aktualë i konsideron të padobishëm.

"Daily Star Sunday" tregohet gjithashtu e pamëshirshme me trajnerin e ri të Manchesterit, të cilin me kombinime fjalësh e konsideron një humbës. /albeu.com/
Shtuar më 17/08/2014, ora 11:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori