Mediat italiane nuk kënaqen me fitoren 0-1 kundër Shqipërisë
Pëlqej
Fitorja ndaj Shqipërisë nuk ka zbutur pakënaqësitë e shtypit italian që vijon të jetë kritik ndaj skuadrës së Venturës. Në Loro Borici kuqezinjtë me paraqitjen e tyre detyruan të kaltërit të mjaftohen me një gol të Candrevës, që për hir të vërtetës përfitoi nga një gabim në mbrojtjen tonë. Pikërisht loja e shfaqur në tapetin e gjelbër nuk ka bindur shtypin italian që edhe pse i është gëzuar kualifikimit për në Play Off nuk ka kursyer kritikat. Në një shkrim të sportmediaset është evidentuar që Italia nuk bind si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Paraqitjet me Maqedoninë dhe Shqipërinë kanë treguar limitet e Italisë, ndërkohë që mendohet se senatorët nuk kanë pëlqyer modulin e lojës së trajnerit Gianpiero Ventura, duke kërkuar rikthimin e skemës së përdorur nga Antonio Conte me 3 në mbrojtje.

Por timonieri i të kaltërve vijon të mbetet fanatik i ideve të tij, ashtu sic u pa edhe në Loro Borici dhe muajin e ardhshëm në sfidat e Play Off ndoshta mund të vendosë të ndryshojë lojtarët që duhet të interpretojnë skemat e ideura prej tij. Por duket se tashmë Ventura ka të gjithë kundër pasi shtypi Italian ngren alarmin duke e konsideruar përfaqësuesen e cila në europianin e vitit të shkuar u eleminua nga Gjermania me penallti, si një skuadër provinciale.

Edhe suksesi në Loro Borici nuk qetëson shpirtrat e të kaltërve të cilët do ë vijojnë të jenë të trazuar edhe për një muaj, teksa gjatë kësaj periudhe do të mësojnë në fillim emrin e kundërshtarit në Play Of dhe më pas nëse do të jenë apo jo në Rusi verën e ardhshme. /albeu.com/
Shtuar më 10/10/2017, ora 15:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori