Mediat zvicerane: Turbo Aliji
Naser Aliji po kalon një formë shumë të mirë në Zvicër. Miqësorja e zhvilluar në Spanjë mes skuadrës kampione të Zvicrës, Baselit, dhe Frieburgut të Bundesligës së dytë gjermane, ka qenë edhe një derbi kuqezi.

Në radhët e zviceranëve luanin Xhaka, Gashi dhe Aliji, ndërsa si kundështar i tyre ishte mesfushori luftarak Amir Abrashi.

Në këtë sfidë, që përfundoi në barazim 1-1, spikati veçanërisht mbrojtësi i Baselit Naser Aliji, i cili edhe pse u dëmtua gjatë pjesës së parë pas një përplasjeje me Abrashin, jo vetëm që u kthye në fushë me kokën e fashuar, por i befasoi të gjithë, duke qenë i papërmbajtshëm në krahun e majtë.

E përditshmja zvicerane Blick, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë futbollistit shqiptar nga Kumanova, të cilin e vlerëson për shpërthimet e tij, duke i kujtuar trajnerit Urs Ficher se duhet të mbështet më shumë të cilësitë e 22-vjeçarit shqiptar në sfidat e ardhshme.

Aliji sezonin e kaluar ishte dhënë në huazim te Vaduzi po në kampionatin zviceran, por në ditët e fundit të merkatos u rikthye te Baseli për shkak të nevojave që kishte skuadra në repartin e pasmë. /albeu.com/
Shtuar më 23/01/2016, ora 11:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori