Merkato milionash në Kategorinë Superiore
Pëlqej
Produkti i dhënë është fryt i investimeve të bëra në merkaton e verës, që si asnjëherë tjetër ka qenë më e mira e zhvilluara në vend.

Starti i Kategorisë Superiore nuk zhgënjen me luftën e fortë dhe lojën e treguar në fushë. Produkti i dhënë është fryt i investimeve të bëra në merkaton e verës, që si asnjëherë tjetër ka qenë më e mira e zhvilluara në vend. Lëvizjet kanë qenë të studiuara, ekipet kryesisht kanë ruajtur boshtin e formacionit të një viti më parë, teksa kulmi është ardhja në Kategorinë Superiore e elementëve të Kombëtares Shqiptare por edhe e elementit të huaj tepër cilësor.

Skënderbeu lejoi largimin e disa titullarëve të sezoneve të fundit, si Bicaj, Orelesi apo edhe Pejic, teksa kampionët afruan lojtarë të cilët kanë veshur në të shkuarën fanellën e kombëtares si Vangjeli apo Osmani, pa harruar afrimin e futbollistëve të konfirmuar në elitën e futbollit shqiptar si Progni, Sefa apo Berisha. Megjithatë baza mbetet garda e vjetër me Shehin në portë, Radas dhe Arapi në mbrojtje si dhe kapitenin Shkëmbi si urën lidhëse. Të njëjtën strategji përdori edhe Kukësi, që ruajti pjesën më të mirë të skuadrës që për dy sezone doli nënkampion i vendit, duke i rritur cilësinë me elementë të tjerë të afirmuar.

Mbrojtja mbeti pothuajse e pandryshuar me Dushkun që i bashkohet Malotës në qendër të mbrojtjes, ndërsa në mesfushë goditja është ardhja e vlonjatit Zeqiri. Për të synuar titullin një ekip duhet të ketë një sulmues që garanton golat dhe për këtë arsye Kukësi afroi goleadorin e edicionit të kaluar, serbin Pejic. Me një rekord afrimesh në numër dhe cilësi, Tirana është tjetërsuar. Bardheblutë kanë afruar dy futbollistë që aktualisht janë pjesë e kombëtares si Bulku dhe Curri, pa harruar edhe Elis Bakaj dikur pjesë e kuqezinjve. Merkato plotësohet edhe nga afrime të tjera, futbollistë të kombëtareve të huaja si Ndikumana apo Kagere që priten të rrisin më shumë cilësinë e kampionatit.

Po kaq aktiv në merkato edhe Flamurtari, që largimin e Zeqirit e mbulon me afrimin e mesfushorit më të mirë të kampionateve të viteve të fundit, shkodranin Vucaj. Kuqezinjtë bënë për vete edhe brazilianin Gilberto, pa harruar sulmuesin e Kombëtares Gjeorgjiane Gelazhvili. Ka ndryshuar në pjesën më të madhe edhe Partizani, që kulmin në merkato e arriti me afrimin e mesfushorit të Kombëtares Shqiptare, Emiliano Vila. Një tjetër afrim cilësor është edhe rikthimi i mesfushorit Batha, pa harruar edhe sulmuesin Racic apo mbrojtësit Dishliev e Fejzullahu. Ardian Cuculi mbrojtësi i kombëtares së Maqedonisë është një tjetër afrim i rëndësishëm i Partizanit por edhe i Kategorisë Superiore.

Jo më prapa qëndron Laçi, që pasi ka ruajtur në pjesën më të madhe ekipin e sezonit të kaluar ka goditur me afrimin e portierit malazez Miroslav Vujadinovic si dhe sulmuesin Migen Memelli, pa harruar edhe mesfushorin e Kombëtares së Malit të Zi, Marko Cetkovic. Shumë lëvizje edhe për Vllazninë, Teutën, Apoloninë dhe Elbasanin, të cilët i kanë besuar strategjisë për të afruar futbollistë të konfirmuar në Superiore por që nuk kanë gjetur hapësirat e duhura tek skuadrat e mëdha. Vllaznia pritet t’i besojë grupit të vjetshëm me ndonjë ndryshim të vogël, Teuta ka ndryshuar në pjesën më të madhe formacionin, Apolonia ka afruar ndër të tjerët ish-kapitenin Gërxho, ndërsa Elbasani i ka besuar në dy javët e para ekipit që sezonin e kaluar siguroi kalimin në elitë. /supersport/albeu.com/
Shtuar më 01/09/2014, ora 15:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori