Merr fund telenovela, Conte firmos javën e ardhshme me Interin
Pas humbjes 4-1 ndaj Napolit, tifozët e Interit kanë ndërmarrë një fushatë në rrjetet sociale me "hashtag"-un" #Spallettiout, duke kërkuar largimin e trajnerit aktual të zikaltërve.

Një kërkesë kjo, që duket se do të bëhet realitet, pasi bordi drejtues i Interit e ka marrë tashmë vendimin. Të dielën, sfida me Empolin do të jetë e fundit e Spallettit në stolin e skuadrës milaneze, pavarësisht rezultatit që do të arrijë.

Emri i pasardhësit të tij dihet dhe ai është Antonio Conte. Në fakt, kur kanë mbetur 90 minuta nga fundi i kampionatit u ngritën dyshime në lidhje me ardhjen e ish-trajnerit të Italisë në stolin e Interit, pasi u fol se Conte mund të ndryshonte ide, nëse zikaltrit nuk kualifikohen në Champions League sezonin e ardhshëm.

Frikë kjo që duket se është larguar, pasi sipas asaj që publikohet në medien italiane, Conte e ka dhënë fjalën e tij dhe firma në kontratën me klubin milanez do të hidhet javën e ardhshme, i ndërgjegjshëm se Champions League dhe Europa League janë projekte krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra.
Shtuar më 21/05/2019, ora 12:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori