"Messi mund të qëndrojë te Barça derisa të tërhiqet"
Presidenti i Barcelonës Josep Maria Bartomeu nuk e fsheh faktin që klubit katalanas i pëlqen shumë Paul Pogba, por nga ana tjetër këmbëngul se nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar shërbimet e francezit. Gjithsesi në fjalët e tij 52-vjecari le të hapur mundësinë e blerjes së 22-vjeçarit në të ardhmen.

"Pogba është një lojtar shumë i mirë dhe ka kontratë me Juventusin, skuadër të cilën e respektoj shumë, deri në vitin 2019. Për momentin nuk e kemi parashikuar blerjen e e tij. Besoj se futbollistët e mëdhenj u pëlqejnë të gjithëve. Edhe ne kemi futbollistë që skuadrat e tjera dëshirojnë t’i kenë në organikën e tyre", ka thënë numrin një katalanas, përcjellin mediat spanjolle.

Barcelona nuk mund të bëjë blerje për shkak të penalizimit të FIFA-s, por Bartomeu shpjegon se kalatanasit kanë planet e tyre për merkaton, por pa dhënë shumë detaje.

"FIFA nuk na lejon të blejmë futbollistë deri në janar të 2016. Do të punojmë me lojtarë të ndryshëm që mund të vijnë tek ne por edhe me të tjerë që mund të largohen. Ne kemi planet tona për sezonin e ardhshëm, por nuk mund të jap emra", shtoi ai.

Në qendër të projektit të Barcelonës mbetet Lionel Messi, i cili sipas Bartomeut, do ta mbyllë karrierën në Katalunjë.

"Ne e kemi ndërtuar skuadrën rreth Lionel Messit, i cili është futbollisti më i mirë në botë, pse jo edhe i historisë së futbollit. Vendi i këtij është këtu deri në momentin kur do të vendosë të tërhiqet nga futbolli", ka mbyllur Josep Maria Bartomeu. /albeu.com/

Shtuar më 21/04/2015, ora 11:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori