Messi nën akuzë, Thiago Silva: E papranueshme ajo që bëri
Brazili humbi 1-0 ditën e djeshme kundër rivalëve të përjetshëm të Argjentinës. Ky ishte triumfi i parë për argjentinasit që nga viti 2017, por polemikat nuk kanë mbaruar ende.

Kapiteni i Brazilit, Thiago Silva, akuzon Leo Messin për atë gjest që ylli argjentinas bëri ndaj trajnerit Tite dhe se ai kërkonte të manipulonte gjyqtarin kryesor.

Messi kërkonte ta kontrollonte ndeshjen. Ai kërkonte të ishte ai gjyqtari kryesor i takimit. Debatonte me gjyqtarin, ndërkohë që ai vetëm qeshte. Kjo nuk është normale, gjyqtari duhet të qëndrojë në çdo situatë neutral”, deklaron mbrojtësi i PSG-së për ‘globeesporte.com’.

Gjatë ndeshjes trajneri i Brazilit i kërkoi gjyqtarit ta ndëshkonte me karton Messin, ndërkohë që sulmuesi i Barcelonës ia ktheu me një gjest, duke i kërkuar ta mbyllte gojën. Thiago Silva nuk e pranon aspak gjestin, duke deklaruar: “Është e vështirë për mua ta pranoj atë gjest, pasi ne jemi shembulli për brezin e ri. Unë kurrsesi nuk mund t’i them një njeriu në moshë që të mbyllë gojën. Normalisht rivaliteti jonë dihet, por këto gjeste janë të papranueshme”.
Shtuar më 16/11/2019, ora 12:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori