Messi qëndron te Barcelona? Bartomeu nis përpjekjet për t’i ndryshuar mendjen
Lionel Messi e ka ndarë mendjen t’i japë lamtumirën Barcelonës pas gati 20 vitesh, teksa mbrëmjen e djeshme i nisi klubit katalan edhe një faks, ku i kërkonte aktivizimin e klauzolës që lejon prishjen e kontratës nëpërmjet një njoftimi paraprak.

Dalja e këtij lajmi shkaktoi menjëherë bujë të madhe mediatike, ndërsa një numër i konsiderueshëm fansash të Barcelonës dolën për të protestuar pranë zyrave të klubit, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Bartomeu.

Gjithsesi te Barcelona nuk janë dorëzuar dhe do të provojnë gjithçka për të mbajtur argjentinasin në ekip, gjë që u konfirmua edhe nga sekretari teknik Ramon Planes, në konferencën për shtyp të prezantimit të talentit brazilian Trincao.

“Ajo që kemi prioritet, është të ndërtojmë një tjetër cikël fitues, përreth futbollistit më të mirë të botës dhe të historisë së futbollit”, deklaroi Planes, duke shtuar se Trincao do të ketë mundësinë të luajë dhe shkëlqejë në krah të Messit.

Ndërkohë mediat pranë klubi katalan kanë raportuar pak më parë se pas mbledhjes me drejtuesit, presidenti Josep Bartomeu është angazhuar personalisht për t’i ndryshuar mendjen Messit dhe ka kërkuar ta takojë menjëherë, që ditën e sotme.

Vetë ylli argjentinas është me pushime në Costa Brava, në periferi të Katalunjës dhe në Spanjë nuk përjashtohet një takim informal mes tij dhe presidentit Bartomeu, prej ku pritet të vendoset përfundimisht nëse do të vijojë të qëndrojë me fanellën “blaugrana” apo jo.

Gjithsesi shumë varet edhe nga ajo që presidenti katalan do të jetë i gatshëm t’i ofrojë argjentinasit për t’i ndryshuar mendjen, ndërsa mediat në Spanjë aludojnë se vetëm dorëheqja e Bartomeut mund ta shtynte Messin të bënte një “prapakthehu” dhe të qëndronte te Barcelona.
Shtuar më 26/08/2020, ora 20:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori