Mezani: Fitore e merituar
Pëlqej
Trajneri i ri i Luftëtarit, Gentian Mezani, pas fitores në debutim, deklaroi se për dy ditë nuk mund të ndryshosh shumë taktikat.

• 2 ditë në drejtim, si ia arritët të motivonit lojtarët?

"Në dy ditë nuk mund të ndryshosh shumë fizikisht e taktikisht. Mendoj se problemi deri diku ka qenë psikologjik, dhe jam munduar të punoj në atë aspekt. Morëm tre pikë dhe jemi të kënaqur. Nëse nuk marrim fitore të tjera, kjo sfumohet.

• Beson se pas kësaj fitore, skuadra do të bëjë atë që ka bërë vjet?

"Unë nuk mendoj të bëj të njëjtën gjë, pasi është shumë shpejt. Mendoj të dalim nga kjo situatë. Kjo ndeshje mbaroi tani. Nga nesër, mendojmë për ndeshjen tjetër. Do i marrim një nga një.

• Mungonte fryma e grupit?

"Unë jam tip që mundohem t’i dëgjoj lojtarët, t’i bind për atë që mendoj unë që është më e mira. Nuk përtoj t’ia kërkoj diçka të tillë. Cilësitë e këtyre lojtarëve dihen. Blerjet e reja nuk i kam vënë re shumë, por ato pak cilësi që unë i kam parë, i shfaqen. Është e vështirë që një lojtar i ri të vijë dhe të ingranohet menjëherë. Edhe mungesat janë të rëndësishme. Por, cilësitë janë dhe prandaj u binda të marr skuadrën. Fitorja na jep moral e frymëmarrje, por tani kemi nevojë për mbështetje. Me gjithë mbështetjen e drejtuesve, besoj se do ia dalim.

• Deri sa të jeni te Luftëtari, do të përmendin arritjen e Likës. Si do e përballosh?

"Unë nuk i kam këto probleme. Ndeshjen e sotme e fituan çunat. Kam punuar psikologjikisht me ta. Për pjesën tjetër, nuk e kam problem. Unë kam ardhur të bëj punën time. Lika ka bërë një punë fantastike, por unë jam në një pozitë tjetër.

• E bëre ti formacionin, apo e gjete të bërë?

"Formacionin e kam bërë unë kudo, në Vlorë, në Laç, dhe këtu e kam bërë unë. Unë e kam parë skuadrën, edhe kam pyetur. Nuk mund të kisha kohë të shihja gjithçka në dy ditë. Në fund vendosa për këtë formacion.

• Kur do jetë skuadra jote në fushë?

"Unë skuadrën e gjeta të bërë këtu, po ashtu edhe në Laç. Një skuadër, pak rëndësi ka se kur vjen në krye. Kur i bën ti zgjedhjet e tua, akoma më mirë. Por, kur shikon si hyra unë, në javën e pestë, ia them dhe lojtarëve, tani janë skuadra ime. Ishte skuadra e Kostiç, por tashmë është e imja. Po të humbnim, nuk do thosha që ishte skuadra e Kostiç, fajet përsëri do ishin të miat.
Shtuar më 22/09/2018, ora 18:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori