Mike Tyson është gati të rikthehet në ring, ka ndryshuar dietën për të përballuar stërvitjet
Pas 15 vitesh tërheqje nga boksi dhe me 54 vite mbi supe, Mike Tyson është gati të rikthehet në ring dhe do ta bëjë këtë në orët e para të ditës së diel, për t’u përballur me 51-vjeçarin amerikan Roy Jones.

Në një intervistë të dhënë së fundi, "Majku i hekurt” deklaroi se po stërvitet shumë mirë dhe se ka hequr dorë nga të qenit vegan, pasi nuk arrinte të plotësonte nevojat e trupit të tij pa konsumuar mish.

"Kam hequr dorë nga dieta vegane për të përballuar stërvitjet e ngarkuara, të cilave po u nënshtrohem së fundi. Ajo dietë nuk më jepte forcën, energjinë dhe rezistencën e duhur për të përballuar angazhime të tilla. Tani ha vetëm mish, mundësisht dreri dhe bizoni, dhe them se jam plotësisht në formë", u shpreh boksieri 54-vjeçar.

Përballja mes Mike Tyson dhe kampionit tjetër të boksit, Roy Jones, do të zhvillohet në orën 3:00 të mëngjesit të së dielës (ora lokale në Shqipëri), në “Staples Center”, që është njëkohësisht edhe “shtëpia” e kampionëve aktualë të NBA-it, Los Angeles Lakers.

Ndeshja mes dy boksierëve, që të dy së bashku kanë 105 vite jetë, do të zhvillohet me 8 raunde nga dy minuta dhe është më e diskutuara aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm, ndërsa arbitri Ray Corona ka garantuar se do ta ndërpresë atë, nëse sheh që shndërrohet në një përballje të vërtetë boksi.
Shtuar më 24/11/2020, ora 09:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori