Milan gati të “përbijë” Robin Van Persie
Robin Van Persie, Arsenal
Milani dhe trajneri Allegri kanë në dispozicion disa nga sulmuesit më në zë të botës në qarkullim. Duke lënë mënjanë gjigandin Zlatan Ibrahimoviç, brazilianët Alexandre Pato dhe Robinho, por edhe argjentinasi Maxi Lopez janë ndër ata futbollistë që kushdo do ta ëndërronte t’i kishte në skuadër, por mesa duket në qarkullim ka edhe të tjerë që mahnitin më shumë stafin drejtues dhe teknik kuqezi.

Emri i fundit që ka dalë nga burimet e brendshme të selisë së Milanit është ai i Robin Van Persie. Edhe pse kuqezinjtë e kanë keqtrajtuar Arsenalin në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, sulmuesi hollandez i “topçinjve” ka mahnitur Adriano Gallianin. Administratori kuqezi, pasi ka përgëzuar skuadrën e tij për fitoren, nuk ka mundur të mos i bëjë elozhe 28- vjeçarit Van Persie.

“Është fantastik, i jashtëzakonshëm dhe nuk mund të them më shumë se kaq”. Më shumë sesa thjesht elozhe, këto fjalë janë më shumë një ftesë, një tentativë për të joshur “tulipanin”, i cili mesa duket vlerësohet më shumë sesa Maxi Lopez, Robinjo dhe Alexandre Pato.

Ashtu siç është përfolur së shumti në janar, njëri nga dy brazilianët ose pse jo edhe të dy bashkë do t’i japë lamtumirën Milanos këtë verë dhe mesa duket, Milani nuk ka më nevojë të bëjë një studim për të zëvendësuar brazilianët. Emri tashmë është konkret, Robin Van Persie.

Ky i fundit, ashtu siç është theksuar edhe në javët e kaluara, është i lodhur së luftuari në fushë, por pa fituar trofe dhe mbase këtë verë do t’i japë lamtumirën Londrës. Kartoni i tij, duke parë që ka vetëm një vit tjetër kontratë me Arsenalin, nuk i kalon 25 milionë eurot dhe këtë shifër Milani është gati ta paguajë me qejf, për t’i bashkangjitur një bomberi si Zlatan Ibrahimoviç, një tjetër gjigand, për ta bërë sulmin kuqezi në një ndër më të frikshmit e planetit. /albeu.com/
Shtuar më 18/02/2012, ora 19:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori