Milan-Juve, Inzaghi kërkon ndihmën e "San Siro"-s
Pëlqej
Filippo Inzaghi ruan qetësinë në prag të sfidës së madhe me Juventusin dhe beson shumë te faktori "San Siro". Tekniku 41-vjeçar vazhdon ta përsërisë se me mbështetjen e zjarrtë të tifozëve, Milani mund të rikthehet ai i dikurshmi.

"Fakti që luajmë në fushën tonë është një avantazh shumë i madh që mund të na shtyjë drejt suksesit. Atmosfera e zjarrtë dhe tifozët mund të na ndihmojnë shumë. Nuk kemi asgjë për të humbur, duhet ta shfrytëzojmë entuziazmin e javëve të fundit", është shprehur tekniku i Milanit, citon "Corriere dello Sport".

Në dy javët e para të Serie A, Milani ka grumbulluar pikë të plota, por në sfidën e fundit në Tardini u pa qarte që në fazën mbrojtëse kuqezinjtë kanë shumë për të rregulluar.

"Janë disa problematika që nuk mund të zgjidhen brenda një apo dy muajsh. Nuk mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, sikurse nuk mund ta harrojmë nga jemi nisur. Unë jam shumë i kënaqur, por duhet të përmirësohemi dhe unë e di që mund d’ia dalim", vijoi Inzaghi.

Pyetja që shtrohet në kampin milanist është: Kush do të luajë në sulm? Dhe SuperPippo përgjigjet: "Torres është një profesionist e madh, unë e shoh shumë të karikuar. Edhe Stephan është mirë, por më duhet ta vlerësoj gjendjen e tyre nëse janë gati për këtë ndeshje. Do të konsultohem me bashkëpunëtorët e mirë për të gjetur zgjidhjen më të mirë për t’i bërë keq mbrotjes së Juves. Ndoshta do të ishte më mirë që ndaj Juventusit të luanim pas një muaji".

Më pas Inzaghi foli për marrëdhëniet e tij me Massimiliano Allegrin, përplasjet me të cilin nuk kanë munguar kur të dy ishin pjesë e Milanit.

"Kemi patur disa mosmarrëveshje, por që i kemi sqaruar. Tani shohim përpara dhe mendojmë vetëm për ndeshjen. Unë vjedh diçka nga çdo trajner, por në fund të fundit duhet të jesh vetvetja. Allegri është një teknik shumë i përgatitur dhe e di që do të na e bëjë jetën të vështirë. I uroj më të mirën, sigurisht pas kësaj mbrëmjeje", përfundoi Filippo Inzaghi.

Milan-Juventus luhet nesër në ora 20:45. /albeu.com/

Shtuar më 19/09/2014, ora 15:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori