Milan-Juve, Menez: Do ketë gola dhe emocione
Pëlqej
Milani do të presë Juventusin në sfidën e nesërme për kreun e tabelës së renditjes në Serie A, një përballje që mund të rezultojë edhe si një kthesë e synimeve të kuqezinjve për t’i dhënë fund dy sezoneve zhgënjyese.

Nën drejtimin e trajnerit të ri, Filippo Inzaghi, Milani ka pasur një nisje perfekte të këtij sezoni me 2 fitore në po kaq ndeshje, ndërkohë që në dy sezonet e kaluara nën drejtimin e Massimiliano Allegrit dhe, së fundi, Clarence Seedorf.

Fitorja 3-1 ndaj Lazios në javën e parë u pasua nga një tjetër fitore në Parma, fundjavën e kaluar, ku kuqezinjtë shënuan 5 gola e pësuan 4. Edhe pse fitorja e fundit nxorri në pah talentin e sulmuesve, ajo padyshim ekspozoi edhe dobësitë në prapavijë.


Gjithsesi, Jeremy Menez është shprehur se pret më shumë përkushtim në "San Siro" këtë të shtunë. "Do të jetë një ndeshje e madhe. Do të ketë gola dhe emocione, pse jo siç ndodhi në Parma", tha ish lojtari i PSG-së për "La Gazzetta dello Sport".

"Juve mund të jetë ende disi përpara nesh, por të shtunën do të luajmë në nivele të barabarta dhe mund të arrijmë gjëra speciale. Ka shumë për të diskutuar gjatë kësaj ndeshjeje, thjesht duhet të fokusohemi te puna jonë dhe t’i përmbahemi planit tonë të lojës", vijoi francezi.

Milani pret Juven vetëm 4 ditë pasi bardhezinjtë arritën një fitore 2-0 ndaj Malmos në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Champions League. Por, transferta në "San Siro"-n e tejmbushur, siç pritet, do të jetë ndryshe nga fitorja e lehtë e arritur në mesjavë, veçanërisht pasi tifozët kuqezinj do t’i dhurojnë një pritje "armiqësore" ish-trajnerit të tyre Allegri. /albeu.com/
Shtuar më 19/09/2014, ora 17:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori