Milan-Juventus, Sfida qe kushton 270 milione euro
Milan-Juventus është një sfidë prej 270 milionë eurosh. Nëse llogarisim vlerat e kartonëve dhe pagave të 22 protagonistëve të mundshëm që do sfidojnë njëri-tjetrin të shtunën, shikojmë se të gjitha bashkë në total vlejnë 270 milionë euro. Por sipas kësaj statistike na rezulton se drejtuesit kuqezi kanë shpenzuar më pak për të ndërtuar këtë Milan, sesa homologët e tyre bardhezi.

Sfida e nesërme do na ftojë të shikojmë në fushë disa duele të zjarrta, si ai ndërmjet Thiago Silvës dhe Giorgio Chielini, Kevin Prince Boateng (ky mbetet në dyshim) kundër Andrea Pirlos, si dhe trajnerëve Massimiliano Alegri e Antonio Conte… por jo vetëm.

Milan-Juventus do jetë një sfidë në distancë edhe ndërmjet punës së kryer nga dy njerëzit e merkatos, Adriano Gallianit dhe Giuseppe Marrota, falë të cilëve është bërë i mundur ndërtimi i këtyre dy skuadrave pretendente për titullin kampion të Italisë.


Edhe nëse nuk marrim në konsideratë pagën e Zlatan Ibrahimoviç, formacioni i mundshëm i Milanit kundër Juventusit mund të jetë më i kushtueshëm se ai bardhezi, ndonëse kuqezinjtë kanë kryer disa operacione me parametër zero.

Filip Mexes, i cili ka ardhur sezonin që shkoi nga Roma, fut në xhep plot 4 milionë euro, por nga ana tjetër edhe Van Bommel nuk mund të qahet me 3.5 milionë eurot. Gjithsesi, diferenca e pagave me Juventusin nuk do jetë kaq e madhe. 6 milionë eurot që përfiton në sezon Gigi Buffon, mbajnë lart listën e pagave të formacionit torinez.

Por në një farë sensi, sfida e “San Siros” do jetë edhe një betejë mes futbollistëve për të futur në xhep premiot që i kanë premtuar drejtuesit për titullin.

Pra, kur na ndajnë pak orë nga sfida e nesërme, të gjithë protagonistët po fërkojnë duart për të arkëtuar në fund të sezonit, përveç pagës, edhe shpërblimin për titullin. /albeu.com/
Shtuar më 24/02/2012, ora 11:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori