Milan, kjo është një krizë e vërtetë
Pikat më të dobëta të skuadrës kuqezi janë mbrojtja dhe sulmi. Në tetë ndeshje zyrtare lojtarët e Alegrit kanë pësuar 11 gola. Të gjithë problemet e Milanit janë dukur qartë në ndeshjen e humbur kundër Juventusit.

Mbrojtja, pavarësisht paraqitjes së mirë të Tiago Silvës, pëson shumë gola, dhe sulmi është steril: mesatarja e golave të pësuar dhe të shënuar është negative. Gjithçka është bërë edhe më e vështirë nga dëmtimet.

Alegri, jo pa përgjegjësi, mund t'i shfrytëzojë këto dy javë pa kampionat për të rekuperuar lojtarë të rëndësishëm dhe për të kthjelluar idetë.

MBROJTA: Ta nisim nga problemi numër një: mbrojtja. Tetë ndeshje zyrtare dhe njëmbëdhjetë gola të pësuar janë shifra që ndëshkojnë të gjithë repartin e pasëm, duke përfshirë edhe portierin.

Vetëm në dy raste, kundër ekipit modest të Çezenës dhe Viktoria Plzen, Abiati e ka mbyllur ndeshjen pa e nxjerrë topin nga porta e tij. As Tiago Silva, që tregon çdo ndeshje se është një nga më të mirët, nuk ka arritur të shpëtojë kuqezinjtë.

SULMI: Për të nxjerrë akoma më në dukje problemet e mbrojtjes ka menduar sulmi, që nuk është shpërthyes si ai i vitit të kaluar. Sigurisht ky repart është penalizuar nga dëmtimet e Robinhos, Patos tani dhe Ibrahimoviçit më parë, por nuk mund të jetë një justifikim.

Idetë janë të pakta dhe gjuajtjet drejt portave kundërshtare janë akoma më të pakta. Shpesh kërkohet ndihma e mesfushorëve, por që nuk kanë rezistencën e duhur për të vrapuar 90 minuta me ritme të larta.

Midis mbrojtjes dhe sulmit mesfushorët kanë shumë punë për të bërë. Edhe këtu janë shifrat që nuk lënë shpëtim: 5 gola në kampionat në 5 ndeshje. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2011, ora 12:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori