"Milani do kthehet i madh, kam besim te Galliani e Berlusconi"
Kriza e madhe që ka kapluar Milanin ka arritur deri në Paris, aty ku luan dhe jeton ish mbrojtësi kuqezi Thiago Silva. Kapiteni i PSG-së ka mbetur shumë i lidhur me ish skuadrën e tij dhe për këtë arsye i ndjek me shumë vëmëndje zhvillimet në shtëpinë kuqezi, mbi të gjitha edhe afrimet në merkato: Bocchetti dhe Destro.

"Mund ta ndihmojë shumë skuadrën në këtë moment të vështirë. Vjen me motivime të mëdha dhe mendoj se Milani ka bërë një goditje të mirë. Është një futbollist i madh dhe mund të përmirësohet akoma më shumë", ka thënë braziliani për Destron gjatë një interviste për "Sky".

Ky Milan ndryshon shumë nga Milani ku luante Silva dhe që fitonte titullin kampion në vitin 2011, por braziliani beson se kuqezinjtë do e kalojnë këtë moment të vështirë.

"Më vjen shumë keq për momentin që po kalon skuadra, por jam i sigurtë se do të dalë nga ky tunel dhe do të kthehet e madhe. Kam besim te Galliani dhe Berlusconi sepse e duan klubin dhe do të bëjnë gjithçka munden për të përmirësuar situatën", është shprehur Thiago Silva. /albeu.com/
Shtuar më 31/01/2015, ora 15:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori