Milani, e vetmja skuadër në kampionatet kryesore që nuk njeh humbje pas ndalesës së marsit
Milani po çudit të gjithë me formën që po tregon në këtë start sezoni në Itali dhe si për çudi, gjithçka merr shkas nga ajo ndalesë për pandeminë në muajin mars.

Që atëherë, kuqezinjtë janë transformuar plotësisht, duke u kthyer në një skuadër e cila nuk njeh humbje në ndeshjet që ka zhvilluar.

Që kur rifiloi futbolli në Itali, Milani ka regjistruar 21 ndeshje të luajtura me 16 fitore e 5 barazime (nuk përfshihen penalltitë).

Të vetmet skuadra që kanë ndalur Milanin gjatë kësaj periudhe janë Juventusi (0-0), SPAL (2-2), Napoli (2-2), Atalanta (1-1) dhe Rio Ave (2-2), me këta të fundit që u mposhtën në fund nga seria mbresëlënëse e penalltive.

Më datë 8 mars regjistrohet humbja e fundit e Milanit, ajo kundër Xhenoas në prag të ndalesës së futbollit pothuajse në gjithë botën.

Asokohe, fati i Piolit dukej i shkruar dhe valixhja gati. Por gjithçka ndryshoi me rifillimin e futbollit, pasi Milani nisi një marshim mbresëlënes, pasi në 21 ndeshjet në vijim, vetëm në dy prej tyre nuk ka shënuar të paktën dy gola.

Duke marrë për bazë skuadrat më të mira të kampionateve kryesore në Europë, vetëm Bajern Mynih ka rezultate më të mira, pasi ka fituar 22 ndeshje në 23 të luajtura, por ka njollën e humbjes ndaj Hofenhajm.

Asnjë emër i madh nuk i ka mbijetuar kësaj periudhe pa humbje si Milani, duke e bërë edhe më mbresëlënëse punën e Piolit i cili ka transformuar plotësisht këtë skuadër.
Shtuar më 23/10/2020, ora 20:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori