Milani me strategji të re në merkaton e transferimeve
Pasi taktika e përdorur për transferimin e lojtarëve gjatë afateve të fundit kalimtar nuk është treguar e suksesshme, Milani raportohet se tani e ka bërë një plan të ri, duke mos lejuar transferimin e lojtarëve mbi moshën 25-vjeçare.

Sipas të përditshmen italiane, “La Gazetta dello Sport”, kuqezinjtë janë duke tentuar ta ndryshojnë situatën brenda klubit, duke transferuar vetëm lojtarë të rinj në klub gjatë afateve të ardhshme kalimtare.

Transferimet e fundit që ka bërë klubi i përshtaten këtij rregulli, pasi që Lucas Paqueta, Alen Hilalovic, Tiemoue Bakayoko, Samu Castillejo, Stefan Simic, Mattia Caldara, Diego Laxalt dhe Alessandro Plizzari janë të gjithë nën moshën 25-vjeçare.

Me këtë strategji, tre lojtare besohet se janë favoritët për ta siguruar një transferim në Milan gjatë afatit kalimtar të janarit: Yannick Ferreira Carrasco, i cili dëshiron të kthehet në Evropë pas një periudhe në Super Ligën e Kinës, Stefano Sensi i Sassuolos dhe Denis Suarez i Barcelonës.

Megjithatë, edhe për këtë strategji të re do të ketë përjashtime, pasi që lojtarët rreth 30-vjeçarë mund të transferohen te kuqezinjtë nëse ata janë lojtarë të klasit botëror. Për këtë arsye, Milani kishte shprehur interesim për Zlatan Ibrahimovicin e LA Galaxy dhe Cesc Fabregasin e Chelseat.

Përderisa lojtarët mes moshës 25 dhe 30-vjeçare nuk e kanë të pamundur të transferohen, ata duhet t’i plotësojnë shumë kritere për t’u transferuar në Milan. Sipas Calcio Mercato, dyshja e Premierligës, Stefan Johansen dhe Pedro Obiang, është nën radarin e klubit të Gennaro Gattusos. /albeu.com/
Shtuar më 07/01/2019, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori