Milani rigjen "artilerinë" e rëndë
Më në fund, Milanit i rikthehet shumica e yjeve, të cilët deri dje ndodheshin në infermieri për probleme të ndryshme fizike. Në prag të gjysmëfinales së Kupës së Italisë kundër Juventusit, takim i cili do luhet nesër, trajneri kuqezi Massimiliano Allegri mund të mbështetet tek mesfushorët Clarence Seedorf, Kevin Prince Boateng dhe Aleksander Merkel.

Edhe reparti i mbrojtjes do pasurohet me dy futbollistë me peshë. Ata janë Alessandro Nesta dhe Fhillipe Mexes. Por, mesa duket, tekniku 44-vjeçar nuk ka ndërmend të nxitohet, ndaj do i kursejë disa prej lojtarëve të lartpërmendur për ndeshjen me Romën të shtunën në kampionat.

Boateng tani është pranë rikthimit, së bashku me Merkelin. Mesfushori ganez është stërvitur rregullisht me skuadrën e parë. Edhe braziliani Robinho është më mirë, ndërkohë që mesfushori Clarence Seedorf dje ka zhvilluar një miqësore me ekipin e të rinjve.

Por Allegri u druhet ridëmtimeve të yjeve. Kësisoj, duke parë ndeshjet e rëndësishme që e presin (Roma dhe Barcelona), nuk do që të nxitohet. Synimi i teknikut italian është t’u japë edhe një javë kohë Boatengut, Merkelit e Robinhos, dhe për ndeshjen e kupës të grumbullojë vetëm Seedorfin.

I njëjti diskutim si ai i mesfushës vlen edhe për mbrojtjen. Nesta dje është stërvitur me ekipin e parë. Mirëpo të martën, sipas të gjitha gjasave, do i takojë Meksesit të luajë përkrah Thiago Silvës, i cili tashmë do mund të luajë edhe në kampionat kundër Romës, pasi e ka përfunduar skualifikimin prej tri ndeshjesh. /albeu.com/
Shtuar më 19/03/2012, ora 12:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori