Ministria e Financave "ngrin" klubet: Ligji për Sponsorizimet nuk ndryshon, njerëzit që sjell Duka mendojnë ndryshe nga ai
Armand Duka dha sinjale pozitive nga takimi me kreun e qeverisë, Rama, mirëpo pasditen e sotme ishte edhe një herë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anlia Denaj e cila ka deklaruar se dikasteri që ajo drejton i qëndron variantit aktual të Ligjit për Sponsorizimet.

Në një lidhje direkte në “News 24”, me gazetaren Enxhi Biba, Denaj deklaroi se përfaqësuesit e sportit kanë pranuar të tjera variante nga ai që ka deklaruar kreu i FSHF-së sot.

“Me Ligën e Futbollit ndahemi me skemën se si të bëhet sponsorizimi. Ne i qëndrojmë metodologjisë së biznesit, të cilat kanë interes që të sponsorizojnë, të ndjekin Ligjin e Sponsorizimit dhe elementë të veçantë të tij të cilët po përmirësohen edhe me këtë alternativë të tretë, për të nxitur investimet. Ndërsa, Liga ka kërkuar edhe më herët, që një pjesë të shkëputet automatikisht nga tatimi i fitimit dhe të kalojë për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Ne mendojmë që ligji i sponsorizimit është një rrugëtim më i qëndrueshëm, më i saktë dhe më transparent. Ne i mbetemi këtij opinioni si Ministri Financash”, deklaroi minitrsja Denaj.

E pyetur në lidhje me faktin që presidenti i FSHF-së, Duka, është shprehur se propozimi i qeverisë nuk prodhon asnjë të ardhur ose prodhon vetëm teorikisht, ajo u përgjigj: “Unë nuk mund të debatoj në distancë me zotin Duka. Nëse do të ishte në tavolinë me ne, sigurisht që do të debatonim. Ai kishte nisur persona të tjerë përfaqësues, të cilët ishin të mendimit ndryshe”.
Shtuar më 23/10/2020, ora 19:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori