Miranda-Murillo, dy qëndërmbrojtësit që kanë ndryshuar Interin
“Sulmi kënaq tifozët, ndërsa mbrojtja të jep tituj“. Eshtë ky mendimi i disa prej trajnerëve më të mirë të Botës dhe për momentin mbrojtësit Interi i ka. Pas Juventusit, Joao Miranda dhe Jeison Murillo zeruan edhe Romën. Me 2 qëndërmbrojtës amerikano-jugorë, që të gjithë tifozëve të Interit u sjellin në mendje dyshen Lucio-Samuel, zikaltërit kanë fituar sërish sigurinë në prapavijë. Pas 11 javëve kampionat, Miranda dhe Murillo janë konfirmuar si dyshja më e mirë e qëndërmbrojtësve në Serinë A.

Edhe pas shpatullave të tyre kanë një mur si Handanovic dhe meritë për rezultatet e deritanishme ka e gjithë skuadra, braziliani dhe kolumbiani kanë fituar menjëherë zemrat e tifozëve të Interit, që tashmë presin vetëm golat e tyre me kokë. Në 11 javë kampionat vetëm 7 gola kanë pësuar zikaltërit që aktualisht kryesojnë së bashku me Fiorentinën Serinë A. Por në fakt nga 7 golat që ka marrë gjithsej Interi vetëm 2 i ka pësuar me Murillon e Mirandën në fushë. 31-vjeçari brazilian dhe 23-vjeçari kolumbian për arsye skualifikimesh dhe dëmtimesh kanë luajtur vetëm 5 ndeshje së bashku, madje edhe ata dy gola që zikaltërit kanë pësuar me këta dy lojtarë në formacion kanë ardhur në mënyrë karamboleske pikërisht ndaj Carpit dhe Palermos.

Më shumë sesa një amerikano-jugor, Miranda ngjan me një gjerman pasi flet pak dhe në fushë kuptohet shumë mirë me shokët e skuadrës. 15 milionë Eurot e shpenzuara nga Interi në verë për një 31-vjeçar si ai, 4 për huazimin dhe 11 milionë për blerjen përfundimtare nga Altetico pas dy vitesh, u dukën shumë por braziliani po tregon realisht se është njeriu duhur për skuadrën e Roberto Mancinit.

Por nëse për Mirandën nuk ka shumë për të thënë sepse e ka treguar veten gjatë 4 sezoneve të fundit me Los Colchoneros, Murillo është zbulimi i vërtetë i Interit.

Zikaltërit siguruan shërbimet e tij nga Granada për vetëm 8 milionë Euro që në Dhjetorin e kaluar për ta transferuar atë në Milano gjatë verës.

Nëse Interi nuk do të kishte lëvizur shpejt vlera e kolumbianit do të kishte shkuar minimalisht në 15 milionë Euro pas paraqitjeve që bëri Murillo në Kupën e Amerikës, kompeticion në të cilin u vlerësua me çmimin e lojtarit të ri më të mirë të turneut. Është vetëm 23-vjeç, por në fushë po tregon personalitet, grintë dhe të mbi të gjitha forcë, diçka që i mungonte mbrojtjes së Interit gjatë 3 apo 4 sezoneve të fundit. Me dy qëndërmbrojtës që kanë karakteristika të ngjashme me dyshen e formuar nga Lucio dhe Samuel, fitimi i titullit të 19-të kampion në Serinë A, nuk është më edhe aq i pamundur për Interin e Roberto Mancinit.(SS) /albeu.com/
Shtuar më 02/11/2015, ora 14:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori