Moggi tall Interin: I duhet një tjetër "Calciopoli"
Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Lucciano Moggi, nuk mund ta falë asnjëherë Interin. Situata që po kalojnë zikaltrit dhe humbja e fundit në “Juventus Stadium” i kanë dhënë mundësinë atij që të tallet me klubin që e akuzon se ka triumfuar me pa të drejtë në kurriz të “Zonjës së Vjetër”.

Moggi shprehet se që Interi të kthehet ekipi i suksesshëm i vitit 2010, duhet që në kampionatin italian të ndodhë një tjetër “Calciopoli”. “Sezoni i Interit deri tani është për të ardhur keq. Por duhej të merrej me mend se si do të shkonin punët për ta, pasi bënë atë veprim të marrë që shitën Eto'o. E vërteta është se tani mbaroi efekti "Calciopoli" për Interin dhe se ekipi i Morattit u kthye ai që mbanim mend të gjithë. Pa këtë ngjarje dhe pa Vieiranë e Ibrahimoviçin, zikaltrit nuk do të ishin bërë një ekip i madh”, – ka thënë ish-drejtori i bardhezinjve, që përgëzon më pas tifozët juventinë për koreografinë në stadium, subjekt i të cilave ishin titujt e mohuar.

Moxhi ka dhënë edhe ilaçin se si Interi mund të dalë nga kjo situatë e vështirë: “Do të duhej një "Calciopoli" i ri, veçse pa "Telecom" do të jetë e vështirë. Ashtu siç do jetë e vështirë që të merren fitore në tavolinë të dhëna nga një ish-tifoz dhe drejtues, me një ndershmëri të përgënjeshtruar nga faktet. Mjafton të kujtojmë këtu pasaportën false të Alvaro Recoba, ose raportin "Palaci" me kërkesë të nenit nr. 6, për mashtrim sportiv, ku zikaltrit shpëtuan për pak”, deklaroi ish Drejtori i Përgjithshëm i Juventus, Lucciano Moggi. /albeu.com/
Shtuar më 27/03/2012, ora 10:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori