Moise Kean: Çdo ditë mësoj nga Ronaldo
Debutimi si titullar me fanellën e Italisë ka qenë i jashtëzakonshëm për 19-vjeçarin Moise Kean, që realizoi gol në fitoren 2-0 që "azzurrët" arritën ndaj Finlandës. Ai bëhet futbollisti i dytë më i ri në moshë që shënon gol me fanellën e Italisë, pas Bruno Nicole (18 vjeç), por thyen rekordin e një legjende si Gianni Rivera.

"Theva rekordin e Rivera? Ky është një motiv më shumë për mua, për të punuar edhe më shumë në të ardhmen. Kam ende shumë rekorde të tjerë përpara për të thyer dhe jam gati", u shpreh Kean, 19-vjeçari që luan në Serinë A me Juventusin.

Kean shënoi golin e dytë për Italinë, në minutën e 74-t, kur finalizoi me sukses një asist të Immobile, që e nxori të lirë para portierit finlandez.

"Stërvitem çdo ditë dhe përpiqem të jem gati sa herë që skuadra ka nevojë për mua. Goli ishte një emocion i jashtëzakonshëm. A mësoj ndonjë truk nga Ronaldo? Sigurisht, është e pamundur të mos mësosh prej tij, sidomos kur ke në krah një kampion të madh si ai. Çdo ditë e shoh dhe mësoj prej tij", tha Kean.
Shtuar më 24/03/2019, ora 09:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori