Monaco i vendosur: Falcao nuk ikën!
Pëlqej
Do të qëndrojë apo jo? Nëse largohet ku do të shkojë sepse për Radamel Falcaon nuk është vetëm Real Madrid që shikohet si destinacion. Së fundi listës i është shtuar edhe Manchester City e megjithatë te Monaco janë të bindur se "El Tigre" nuk do të largohet nga Principata.

Spekulimet nuk kanë të sosur, madje janë shtuar edhe më shumë kur sytë vigjilentë të merkatos e kanë parë presidentin e Realit të takohet me drejtorin sportiv të Monacos. Temat e diskutimit mund të jenë të shumta, sigurisht brenda botës së futbollit, por mendja të gjithëve u shkon te Falcao, për më tepër pasi Perez e ka shprehur publikisht admirimin që ka për kolumbianin.

Sidoqoftë, Vadim Vasilyev përpiqet të hedhë pak dritë mbi takimet me presidentin e "Los Blancos", por duke e përjashtuar me forcë çështjen Falcao nga këto bisedime.

"Jam takuar shumë herë me drejtues të Realit, por nuk kemi folur asnjëherë për Falcaon sepse kjo çështje për ne nuk ekziston. Jam i lumtur që është rikthyer nga dëmtimi dhe tani ndodhet sërish mes shokëve të skuadrës. Nuk e pati të lehtë mungesën në Botëror, por Falcao është një lojtar me personalitet të fortë. Uroj që ky të jetë sezoni i tij më i mirë te Monaco", është shprehur Vasilyev.

Vasilyev theksoi në fund se tani pret që Falcao të shkëlqejë sa më shumë nën drejtimin e trajnerit të ri Leonardo Jardim dhe të ketë raporte të mira me portugezin, ndryshe nga ç’ka ndodhur në të shkuarën me italianin Claudio Ranieri. /albeu.com/
Shtuar më 07/08/2014, ora 11:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori