Morata jashtë forme, Chelsea në kërkim të një bomberi
Pëlqej
Chelsea pagoi plot 75 milionë euro te Reali i Madridit, për të marrë kartonin e sulmuesit Alvaro Morata verën e 2017, por kur ka kaluar më tepër se një vit, duket se janë bindur që spanjolli nuk është ideali për të luajtur në Premier League.

Ai u kërkua me ngulm nga Antonio Conte, por pas disa javësh, humbi vendin në formacion, ndërsa e njëjta gjë ndodhi edhe këtë verë ne Sarrin, që i besoi një fanellë titullar, por me kalimin e kohës, italiani kuptoi se Morata nuk ishte sulmuesi i duhur.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e klubit londinez kanë menduar të largojnë Moratën në merkaton e Janarit dhe të vihen në kërkim të një tjetër futbollisti, pasi as francezi Olivier Giroud nuk është se gëzon ndonjë raport të mirë me golin.

Sipas mediave angleze, ëndrra e Maurizio Sarrit është që të ketë në dispozicion kapitenin e Interit, Mauro Icardi, të cilin e kërkoi me ngulm edhe te Napoli, kur u largua argjentinasi tjetër, Gonzalo Higuain.

Gjithsesi kjo është një nga ato lëvizje që nuk bëhet në merkaton e janarit, ndaj Blutë e Londrës po mendojnë të rikthejnë në skuadër sulmuesin e huazuar te Valencia, Mitchy Batshuay, i cili njeh mirë skuadrën, por edhe kampionatin anglez.

Sa i përket Moratës, plani fillestar është huazimi në ndonjë skuadër italiane ose spanjolle, për të rivlerësuar kartonin e tij dhe për të përfituar sa më shumë nga shitja verën e ardhshme.
Shtuar më 18/10/2018, ora 23:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori