Motta u përgjigjet kritikëve
Thiago Motta
Goli i Thiago Mottës të shtunën në fitoren e Italisë ndaj Sllovenisë në kualifikime për Euro 2012, do të heshtë, së paku përkohësisht, kritikët e politikës së re italiane në rekrutimin e futbollistëve të huaj.

Motta i lindur në Brazil shënoi golin e tij të parë ndërkombëtar në vetëm paraqitjen e tij të dytë për Italinë në minutën e 73-të, duke u dhuruar Azzurrëve fitoren 1-0 që i dërgoi ata në epërsi prej gjashtë pikëve në krye të Grupit C.

Analistët patriotë janë ankuar ndaj selektorit Cesare Prandelli për përfshirjen e Mottës, bashkëkombësit të tij, Amauri dhe argjentinasit Cristian Ledesma, por strategu ka thënë se ka pak opsione duke pasur parasysh mungesën e talentëve të rinj në Serie A. Ndërsa Motta është shprehur i lumtur pas ndeshjes.

“Dua t’iu falënderohem të gjithëve që më kanë mundësuar të vij deri këtu. Respektoj mendimet e të gjithëve, secili ka të drejtë të thotë atë që mendon. Kur hyj në fushë, mendoj vetëm të kënaqem për vete, i harroj të gjitha të tjerat”, tha Motta, i cili ishte duartrokitur nga kontingjenti i vogël i tifozëve udhëtues italianë.

“Ishte e pamundur të imagjinoj diçka më të mirë se kjo”, u shpreh ai. Azzurrët në vazhdim vizitojnë Ukrainën për një miqësore, të martën.
Shtuar më 27/03/2011, ora 11:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori