Mourinho: Diego Costa-n e morëm lirë
Pëlqej
Diego Costa për 40 milionë? Chelsea ka bërë një pazar të mirë. I këtij mendimi është trajneri i londinezëve, Jose Mourinho, i cili ledhaton bomberin me origjinë braziliane, të cilin e bleu nga Atletico Madrid gjatë merkatos së verës.

Me 27 gola në 25 ndeshje të La Ligas sezonin e shkuar, braziliani me pasaportë spanjolle ndihmoi ekipin madrilen në luftën për titullin kampion, ndërsa në testet miqësore të kësaj vere ai po e konfirmon veten si një nga lojtarët më të mirë të Chelseat.

"Çfarë pres nga Diego? Që të luajë për ekipin ashtu siç po bën. Ai është një lojtar që punon shumë, madje mendon edhe për fazën mbrojtëse. Ka shumë ambicje edhe është i fortë psikologjikisht. Është lojtari që na ka munguar sezonin e shkuar. Unë besoj se po përshtatet shumë mirë me ekipin. Për një lojtar si ai që në moshën 25-vjeçare është shpallur kampion i Spanjës, mendoj se kemi bërë një pazar të mirë", shprehet Mourinho.

Chelsea e nis zyrtarisht sezonin të hënën me përballjen e parë të Premier League kundër Burnley dhe portugezi shpreh besimin se blerjet e Costa, Filipe Luis e Cesc Fabregas do ta ndihmojnë shumë skuadrën.

"Kemi bërë një merkato shumë cilësore. Ata janë tre lojtarë me shumë eksperiencë dhe besoj se e kanë rritur shumë nivelin e skuadrës. Sezonin e shkuar blemë lojtarë si Zouma e Schurrle të cilëve u nevojitet kohë. Gjithsesi, duhet të jemi të kujdesshëm pasi edhe ekipet e tjera janë përforcuar. Në Premier League, ndryshe nga vendet e tjera, lufta për titullin bëhet mes 5 apo 6 skuadrave", përfundoi portugezi. /albeu.com/
Shtuar më 13/08/2014, ora 10:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori