Mourinho do Diego Costa-n që në janar
Eshtë ky padyshim momenti i Diego Costas. Sulmuesi mjaft në modë në Europë, edhe për shkak të debatit se fanellën e cilit ekip përfaqësues do të veshë, vazhdon ndërkohë të shënojë për Atleticon e Madridit ndeshje pas ndeshje. Futbollisti 25-vjeçar i lindur në Brazil ndodhet mes dy zjarreve, Del Bosque mendon ta marrë si pjesë të Spanjës, ndërkohë që Scolari nuk pranon ta shikojë me fanellën e "La Rojas". Gjithsesi Diego Costa vazhdon të bëjë detyrat që i ka caktuar Simeone, duke shënuar sa herë që mundet për klubin e tij.

Forma e jashtëzakonshme që po kalon ka tërhequr mes të tjerëve edhe vëmendjen e Chelseat, që mund të tentojë ta rrëmbejë që në Janar. Jose Mourinho, siç informon "Mirror", kërkon të përforcojë repartin e avancuar duke shtuar në ekip edhe lojtarin e "Los Colchoneros". Sipas informacionit që përcjell e përditshmja britanike, tekniku portugez nuk është i kënaqur me Samuel Eto’o, Demba Ba apo Fernando Torres, edhe pse ky i fundit ishte autor i dy golave kundër Schalkes në Champions.

I nxitur edhe nga refuzimi i Wayne Rooney gjatë verës për t’u bashkuar me ekipin londinez, pronari i Chelsea, Roman Abramovich mund të tregohet bujar me kërkesat e Mourinhos dhe të paguajë klauzolën e Diego Costas që është në shifrën e 38 milionë eurove. /albeu.com/
Shtuar më 23/10/2013, ora 15:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori