Mourinho i jep lamtumiren Interit
Albeu.com
Trajneri tashmë i famshëm i futbollit,Mourinho i ka dhënë lamtumirën Interit, me një darkë në shtëpinë e Massimo Morattit të hënën në mbrëmje. Trajneri portugez ka sqaruar detajet e fundit të largimit me presidentin e Interit, në atë që mediat italiane e kanë quajtur “darka e fundit”.Në dalje, Moratti ka deklaruar se gjithçka ka përfunduar, ndërsa Mourinho nuk bëri komente, duke thënë se ishte një darkë e këndshme me presidentin e tij, ka raportuar BalkanWeb. Më pas, një ditë intensive. Në fillim ai ka shkuar në qendrën stërvitore të Apiano Gentiles ku ka zbrazur zyrën e tij dhe ka marrë sendet personale, ndërsa ka takuar edhe të gjithë njerëzit që punojnë aty. Nga qendra stërvitore, Mourinho i është drejtuar shtëpisë së tij në liqenin e Komos, duke boshatisur shtëpinë nga gjërat e veta dhe të familjes. Më pas, udhëtimi për në Spanjë, ku do të zhvillojë bisedimet me drejtuesit e Realit të Madridit. Pas dy sezonesh të suksesshme me Interin, ku fitoi dy tituj kampionë, një Kupë dhe Ligën e Kampioneve, trajneri portugez do të drejtojë për 4 vitet e ardhshme Realin e Madridit, klubin më të madh të botës. Lamtumira e tij ka lënë një boshllëk në klubin zikaltër, ku në dy vjet, Mourinho krijoi një skuadër të pathyeshme. Tifozët kanë qëndruar për orë të tëra përpara shtëpisë së tij, duke i kërkuar të mos largohet, por lamtumira ka qenë e pashmangshme, duke parë dëshirën e portugezit apo problemet që ai pati në Itali në dy sezone tepër të suksesshme për Interin.
Shtuar më 25/05/2010, ora 22:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori