Mourinho: Para dhe Cech për Varane-n
Pëlqej
Jose Mourinho mendon shkëmbimin midis Peter Cech dhe Rafael Varane, duke përfshirë edhe paratë në mes. "Special One" nuk heq dorë për të afruar në skuadër një qendërmbrojtës të nivelit të lartë, dhe mbi të gjitha nga francezi të cilin e konsideron një zbulim të tijin. Megjithatë kjo lëvizje e bërë nga trajneri portugez i Chelsea-t vjen për disa arsye.

Tashmë në Londër për të zënë vendin e titullarit në portën e "Bluve" janë dy portierë të mëdhenj, konkurrenca e të cilëve mund të sjell rrezik në grupin e Mourinho-s. Në krahun tjetër është domosdoshmëria për të afruar një mbrojtës të nivelit të lartë i gatshëm të përballojë presionin e kampionatit por edhe të Champions League.

Kështu ish trajneri i Real Madrid nuk heq dorë nga ideja për të afruar Rafael Varane dhe i ofron Carlo Ancelotti-t një këmbim me Peter Cech, sigurisht duke ofruar edhe para.

Duket që rikthimi i Thibaut Courtois në Londër nxjerr si rezervë portierin e përfaqësueses çeke, i cili vështirë të pranojë uljen në stol. Në këtë mënyrë Mourinho kërkon t’i paraprijë çdo situate dhe mendon largimin e tij nga skuadra. Por problemi është se Real Madrid tashmë ka afruar në ekip Keylor Navas duke pasur në gjirin e vet tre portierë të nivelit të lartë, edhe pse me shumë mundësi Diego Lopez është pranë largimit.

Por kjo lëvizje e Mourinho-s tregon edhe strategjinë e re të klubit londinez, që tashmë mendon të shpenzojë pak para, duke ofruar futbollistë në këmbim, pavarësisht rëndësisë apo historisë që mund të ketë gjithsecili në skuadër.

Për momentin portugezi është në pritje të përgjigjes së Ancelotti-t, edhe pse ky këmbim duket thuajse i pamundur. /albeu.com/
Shtuar më 08/08/2014, ora 15:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori