Mourinho "pret" biletën për në Paris
Thashethemet mbi largimin e Jose Mourinhos nga Real Madrid dhe firmosja e një kontrate në verën e ardhshme me Paris Saint Germain vazhdojnë, ndërsa me kalimin e ditëve faktet e konkretizimit të një marrëveshjeje të tillë sa vijnë e bëhen më të besueshme. Një konfirmim i radhës vjen nga vetë trajneri portugez gjatë një deklarate të shkurtër për televizionin francez "Canal Plus".

"Largimi nga Real Madrid është një mundësi dhe vazhdimi i karrierës sime në Francë është gjithashtu një pistë konkrete, një sfidë emocionuese. Nuk mund t’ju them se kur kjo lëvizje mund të ndodhë. Por, nëse më jepet mundësia, pra nëse më ofrohet ndonjë kontratë, atëherë vështirë se do të them jo. Fundja, në vitet e fundit kampionati francez është bërë intrigues dhe mua personalisht më pëlqejnë këto sfida. PSG-ja më do? Për momentin unë mendoj për Realin, sepse kam ende shumë objektiva për të arritur dhe nga ana tjetër edhe PSG-ja ka një trajner të madhe në krye, prandaj për momentin le t’i lëmë gjërat siç janë. Në të ardhmen gjithçka mund të ndodhë dhe PSG-ja është një klub që më pëlqen, sepse kanë një plan serioz dhe kompetitiv", ka deklaruar "Special One".

Me këtë deklaratë Jose Mourinho duket se e ka bërë gati biletën e tij vetëm vajtje drejt Parisit, sepse thashethemet në Francë theksojnë se Carlo Ancelottit nuk do t’i rinovohet kontratë në fund të sezonit dhe pankina e lënë bosh prej tij do të zihet pikërisht nga portugezi, që mund të ribashkohet me Zlatan Ibrahimoviç.

Nga ana tjetër, Ancelotti mund të përfundojë në Madrid në vendin e lënë bosh nga Mourinho, duke qenë që vetë italiani një javë më parë theksoi se nuk do t’i thoshte jo një oferte nga Real Madrid. Prej javësh kjo rokadë pankinash po shndërrohet nga një thashethem në një plan realist, ndonëse për konfirmimin duhet pritur merkatoja e verës. /albeu.com/


Shtuar më 19/02/2013, ora 14:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori