Murinjo "kontrollohej" nga nje gangster maqedonas
Albeu.com
Zhoze Murinjo dhe 4 futbollistë të Atalantës kanë qenë të gjithë të kontrolluar nga një gangster maqedonas, i lidhur me krimin e organizuar, që kishte mbledhur detaje të shumta mbi jetën dhe zakonet e tyre.Lajmi është bërë i ditur dje nga e përditshmja portugeze “Diario de Noticias”, në edicionin e saj on-line. Policia e Xhenoas ka arrestuar 4 persona dhe ka gjetur disa dokumenta me informacione konfidenciale në lidhje me trajnerin portugez. Aty përfshiheshin adresa, fotografi dhe detaje të tjera në lidhje me rezidencat e tij në liqenin e Komos dhe të Milanos. Katër të arrestuarit janë: Mirjana Nikollovska, 46 vjeçe, Bruno Bentivoljo 44 vjeç, Zoran Bentivoljo 20 vjeç dhe Luka Radosavljeviç, 30 vjeçar. Në fakt, kohët e fundit Murinjo kishte forcuar masat e sigurisë për vete dhe për familjen e tij, ç’ka tregon se ai mund të ketë marrë edhe kërcënime gjatë kësaj periudhe. Për të nuk është hera e parë që i kanosen rreziqe. Vitin e shkuar ai mori disa kërcënime me vdekje, pas disa deklaratave në lidhje me muajin e Ramazanit. Portugezi u shpreh se ganezi Muntari nuk ishte në gjendje të luante mirë kundër Barit për shkak se nuk kishte energji fizike si rrjedhojë e agjërimit. Por, edhe kur fitoi Champions League me Porton në vitin 2004, ai nuk mori pjesë në festimet për trofeun, për shkak të kërcënimeve me vdekje si rrjedhojë e zërave se do të transferohej te Çelsi. Duke parë këto kërcënime, “Diario de Noticias” shkruan se këto kërcënime vijnë në momentin që po flitet për rikthimin e tij në Angli. “Tekniku, - bën të ditur kjo gazetë, - nuk e ka fshehur se muajt e fundit kanë qenë të vështirë për të dhe familjen e tij dhe që e kanë detyruar të bëjë disa modifikime në jetën private”. (news24)
Shtuar më 10/02/2010, ora 04:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori