"Na u mohua një penallti", Reja: Mungojnë lojtarët e golit
Trajneri Edi Reja, foli pas barazimit në transfertë ndaj Lituanisë, ku analizoi performancën e skuadrës së tij duke u shprehur:

3 ndeshje pa shënuar gol- Me të vërtet më vjen keq. Krijuam shumë raste. Na u mohua një penallti që për mendimin tim ishte. Nuk dua të justifikohem. Krijuam raste, por për të fituar duhet të shënosh gol. Patëm raste me Seferin dhe Trashin. Në qoftë se nuk shënojmë është faji jonë.

Zëvendësimi i Lenjanit- Ndryshimi ndodhi për shkak se Lenjani dha shumë në pjesën e parë. Pati zbritje nga krahu dhe u fut në zonë.. Krosimet i kishte të ulta. Trashin e futa për t’i dhënë një natyrë tjetër lojës. Kemi 5 ndërrime, doja që secili nga repartet të kishte freski.

Mungesa e Kallakut dhe sulmuesit- Fakti që në ndeshjen e Kazikistanit Kallaku pati performancë të mirë, nuk do të thotë që do të ishte detyrimisht pjesë e ndeshjes së sotme. Ka pasur shumë lojtarë të rinj që iu dhamë mundësinë. Nuk e kemi problemin te krijimi i rastit por te finalizimi. Na ka munguar goli. Na mungojnë lojtarët që të kenë ftohtësinë për të konkretizuar. Rëndësi ka projekti dhe plani për të krijuar një rigjenerim të ekipit me këta lojtarë të rinj.

Broja dhe Kumbulla- Ndërrimi i Kumbullës ishte zgjidhje e imja. Mendoj që ishte vendim i duhur, çdo kush ka idenë e tij. Broja bëri një ndeshje të mirë, mbase jo aq sa ajo ndaj Kazakistanit. Unë duhet t’i jap mundësinë të gjithë të rinjve që të fitojnë eksperiencën. Të japin diçka në lojë dhe të kontribuojnë në ekip. Të njëjtën gjë bëra edhe në sulm, me aktivizimin e Manajt dhe Vrionit. Është e vështirë kur luan në transfertë të gjatë, mbas 3 ditësh. Isha i kushtëzuar ti bëja këto zgjedhje.

2 ndeshjet që na presin, janë mundësi që të marrim 6 pikë dhe të jemi në krye të grupit. Barazimet që sapo kaluam nuk është se më bëjnë të ndihem mirë. Shtysa për të vijuar është shumë e fortë”, u shpreh Reja për “Supersport”.
Shtuar më 14/10/2020, ora 20:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori