Napoli-Milan, duel golash Higuain-Bacca
Për takimin e tyre të tretë, kanë gjetur një vend aspak të përshtatshëm, me shumë njerëz. Sot do të jenë gati 50 mijë spektatorë në tempullin të quajtur "San Paolo", aty ku tifozët janë mësuar që t’i përulen përballë të mëdhenjve si Maradona, Gullit, Careca, Van Basten, Sivori e Rivera.

Por e tashmja quhet Gonzalo Higuain dhe Carlos Bacca, ose thënë ndryshe kryegolashënuesi dhe ndjekësi i tij më i afërt.

Napoli-Milan është sfida mes bomberave më të talentuar të Serie A. Kjo është hera e tretë që argjentinasi dhe kolumbiani sfidojnë njëri-tjetrin.

Hera e parë korrespondonte me takimin Milan-Napoli (0-4) që u luajt në fazën e parë në "San Siro". Ndërsa takimi i dytë ishte ai i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit "Rusi 2018" (nëntorin e kaluar).

Napoli dhe Milani tani janë në këmbët e tyre. Të dy lojtarët janë mjaft të ngjashëm. Janë nga të paktët lojtarë që arrijnë të bashkojnë shpejtësinë me prepotencën atletike dhe talentin. Bacca do të kishte mundur që të “njihte” Higuainin që në maj, por Napoli u eliminua në gjysmëfinale të Europa League dhe nuk ia doli që të luante aktin e fundit të kompeticionit me Sevillan e Bacca-s.

Favoriti – Për ata që kërkojnë favoritin mes tyre është e lehtë përgjigjja. Gonzalo Higuain është shumë përpara, pasi deri më tani i ka shënuar 5 herë Milanit. "Pipita" ka ndëshkuar "Djallin" në të dy vizitat e fundit që klubi milanez ka bërë në Napoli. Higuain është në sezonin e tij më të mirë. Në 25 ndeshje, ai ka shënuar plot 24 gola.

Shpresë dhe rekord – Milani së bashku me Xhenoan, Romën dhe Torinon është me fat, pasi në këtë sezon ende nuk janë ndëshkuar nga "Pipita". Ky mund të jetë një ogur i mirë edhe për duelin e sotëm.

Numrat e Gonzalos i kanë zili vetëm legjendat e vjetra të futbollit italian. Jo më kot argjentinasi me mesataren e shënimit është shumë pranë arritjes të Nordhali, i cili në sezonin 1958-1959 shënoi 35 gola.

I denjë – Por CV-ja e Karlos Bakës tregon se edhe ai është në lartësinë e duhur. Kolumbiani u bë pjesë e futbollit europian në moshën 22-vjeçare, ndërsa tani ka në raftin e trofeve dy kupa të Ligës të Europës. Në të parën eksperiencë italiane, ai mburret me 13 gola në 25 ndeshje.

Së fundmi, ai është ngarkuar edhe me përgjegjësi të tjera, pasi është kthyer në pikë referimi për emra si: Hames Rodrigez, Radamel Falcao, Jackson Martinez te Kolumbia. Në ngritjen e Milanit, ai ka një meritë shumë të madhe.

Në 6 ndeshjet e fundit, ka shënuar në pesë takime të ndryshme nga një gol. Sot, kolumbiani do të përballet me argjentinasin: "Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë përballë një ekipi të madh. Gonzalo është një kampion që e ka treguar veten kudo që ka luajtur", ka komentuar kolumbiani sfidën me "Pipitan". /albeu.com/
Shtuar më 22/02/2016, ora 13:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori