Nasri-Dzeko plus "cash" për Pogba
Manchester City duket i vendosur në garën për Paul Pogba dhe është i gatshëm të përdorë çdo skenar të mundshëm për të arritur te shërbimet e francezit. Nga Anglia, e përditshmja "Daily Mirror" me një shkrim ekskluziv raporton se ideja e fundit e Citizens është të ofrojë kartonat e dyshes Nasri- Dzeko, plus para "cash" në këmbim të yllit të Juventusit.

Karriera e Nasri te Manchester City e ka të afërt fundin, me francezin që reagoi ashpër pasi Pellegrini nuk e aktivizoi kundër Leicester më 4 Mars.

Në shenjë revolte, mesfushori u largua nga Etihad Stadium pa mbaruar ndeshja, reagim ky që nuk i ka pëlqyer aspak drejtuesve të klubit. Edhe në takimin me West Brom, Nasri nuk u grumbullua, ndërsa në disfatën me Crystal Palace u aktivizua vetëm 15 minuta. Për t'i prishur mendjen drejtuesve të Zonjës së Vjetër, veç francezit Nasri, Manchester City është gati të përfshijë në tratativa edhe kartonin e sulmuesit Edin Dzeko.

Për ta bërë më të plotë ofertën, Citizens kanë parashikuar edhe para cash, por nuk dihet ende shuma që mund të shkojë në llogaritë e bardhezinjve. Ajo që dihet është se Paul Pogba kërkohet nga më të mëdhenjtë e kontinentit dhe agjenti i tij pretendon se vlera e xhevahirit francez është 100 milionë Euro. /albeu.com/
Shtuar më 08/04/2015, ora 14:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori