Ndërprerja i bën mirë Juventusit, rikuperohen 2 futbollistë të rëndësishëm
Ndërprerja e kampionatit po i shërben për mirë trajnerit të Juventusit Andrea Pirlo, pasi ka rikuperuar plotësisht dy futbollistë mjaft të rëndësishëm për formacionin e skuadrës, mbrojtësin anësor Alex Sandro dhe atë të qendrës, Mathijs De Ligt.

Ky i fundit nuk luan me fanellën bardhezi që prej 7 gushtit në ndeshjen ndaj Lyonit në Ligën e Kampionëve, pasi iu nënshtrua një operacioni në shpatull, por tani është rikuperuar plotësisht dhe pritet të zbresë në fushë nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Cagliarit më 21 nëntor.

Rikthimi i De Ligt është mjaft i rëndësishëm për trajnerin Andrea Pirlo, pasi për momentin po përballet edhe me mungesën e kapitenit Giorgio Chiellini, i cili vijon të shfaqë probleme muskulore dhe pritet të qëndrojë pushim deri në fillim të dhjetorit.

Edhe rikuperimi i Alex Sandros është mjaft i rëndësishëm për Pirlon, pasi në krahun e majtë i ka besuar shpesh të riut Frabotta, por edhe lojtarëve si Kulusevski e Chiesa, të cilët gjithsesi nuk garantojnë ekuilibrin e duhur.

Me rikuperimin e Alex Sandros, Pirlo do ta ketë shumë më të lehtë aplikimin si të skemës me 4 në mbrojtje, ashtu edhe ajo me tre, duke shtyrë brazilianin në krahun e majtë të mesfushës, duke qenë se shtyn shumë, por është edhe i kujdesshëm në fazën mbrojtëse.

Ndërkohë mbetet i dëmtuar mesfushori uellsian Aron Ramesy, i cili shfaqi probleme në transfertën ndaj Ferencvarosh dhe pritet të qëndrojë edhe disa ditë pushim, ndërsa mbetet për t’u verifikuar gjendja fizike e Rabiot, që është dëmtuar në grumbullimin e kombëtares franceze dhe pritet të rikthehet në Torino.
Shtuar më 12/11/2020, ora 14:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori