Ndeshja me Napolin pa tifozë, Bartomeu mendjen te lekët: Na kushton 6 milionë euro
Presidenti i Barçës, Josep Maria Bartomeu, mbajti një fjalim në "Círculo Ecuestre", në Barcelonë. Ai u ndal te klubi që drejton, i detyruar ta luajë pas dyerve të mbyllura duelin kundër Napolit, javën e ardhshme, në Champions.

Ndeshje me dyer të mbyllura
"Ne kemi pasur një takim me qeverinë dhe ka pasur një rekomandim të forte për situatën. Kur bëhet fjalë për shëndetin, është detyrim. Na vjen keq për këtë, sepse do të privohen tifozët nga emocionet e një ndeshjeje si Barcelona-Napoli. Ne po jetojmë në një moment të jashtëzakonshëm. Edhe më vonë, qeveria ka njoftuar se çdo ndeshje në Spanjë do të luhet pas dyerve të mbyllura".

Humbjet financiare
"I pari vjen shëndeti dhe do të bashkëpunojmë me shërbimet mjekësore. Ekziston një humbje ekonomike, jo vetëm për Barcelonën, por për të gjitha klubet, që luajnë pas dyerve të mbyllura. Duhet të kuptohet se është e nevojshme të respektohen disa norma. Ky është problemi i të gjithëve. Paraja është një komponent sekondar, gjëja e parë është shëndeti. Dëmi ekonomik për ne, nga të luajturit pa tifopzë ndaj Napolit, mund të vlerësohet rreth 6 milionë euro".

Gabimet
"Unë jam anëtar i klubit prej kohësh dhe dikur kam bërë disa gabime. I fundit që bëra ishte kur Ronaldo u largua nga Barça. Ne kemi qenë gjithmonë një klub demokratik dhe njerëzit mund të shprehen ashtu siç dëshirojnë".

Ndryshim gjeneratash
"Unë hyra në klub në vitin 2003, si menaxher. Ne filluam një epokë të shumë sukseseve. Këto vite kemi fituar shumë tituj. Ka rivalë që përgatiten dhe na studiojnë se si luajmë. Ne kemi një tranzicion për të luajtur ashtu si duam. Kjo gjeneratë garon shumë mirë, pastaj është një gjeneratë tjetër e re, që po vjen. Kur ka një ndryshim gjeneratash, shumë klube ndalojnë së konkurruari. Jam i lumtur, sepse te Barça kjo nuk ndodh".

Sezoni i tranzicionit
"Ne duam t'i fitojmë të gjithë titujt. Ka disa lojtarë në një moshë, që kanë fituar gjithçka të mundshme. Duhet t’iu jemi mirënjohës. Ky haraç do të përfundojë, sepse të rinjtë do të vijnë. Te Barça bëjmë tranzicione të shkurtra. Kur mbërriti Luis Enrique ishte një fazë kalimtare, tani edhe me Setién. Unë jam shumë optimist. Është e vërtetë që ndonjëherë ka vërshëllima të tifozëve, por duhet të jemi të durueshëm".
Shtuar më 11/03/2020, ora 14:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori