Ndikoi koronavirusi? Conte pranon rikthimin e Nainggolan dhe Perisic
Koronavirusi pritet të dëmtojë ndjeshëm gjendjen financiare të klubeve të futbollit dhe këtë e kanë kuptuar mirë edhe te Interi, pasi drejtuesit e klubit po studiojnë një merkato me futbollistë me kosto të ulët dhe kryesisht në skadencë kontrate.

Pikërisht për këtë arsye, pasi kanë marrë miratimin e Contes, drejtuesit e klubit Ausilio dhe Marotta duket se kanë vendosur të rikthejnë në ekip mesfushorin belg Radja Nainggolan, i cili këtë sezon ka qenë pjesë e Cagliarit në huazim pikërisht nga zikaltrit.

Conte ka pasur vazhdimisht simpati për belgun dhe ka kërkuar edhe kur ishte te Chelsea, por në rrethana të paqarta te Interi vendosën ta nxjerrin jashtë planeve verën e kaluar dhe në mungesë të ofertave për shitje përfundimtare, e huazuan te sardët.

Plani i parë është që të gjithë lojtarët në huazim, si Nainggolan, Dalbert, Perisic, Joao Mario dhe Icardi të shiten në fund të sezonit për të arkëtuar sa më shumë para dhe për t’u përqendruar në objektiva të tjerë.

Megjithatë trajneri Conte ka dhënë miratimin që nëse për emra si Nainggolan, Perisic dhe Dalbert nuk vijnë oferta të leverdisshme, mund të qëndrojnë fare mirë në Milano, pasi do të gjejnë vend në projektin e tij për sezonin e ardhshëm.

Ndryshe është diskutimi për ish kapitenin Mauro Icardi, i cili nuk do të rikthehet në Milano dhe me shumë gjasë Paris Saint Germain do të ushtrojë të drejtën e blerjes në fund të sezonit për shifrën e 70 milionë eurove, siç është dakordësuar më herët.
Shtuar më 29/04/2020, ora 10:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori