Në Athinë, një ditë pas ndeshjes..
Pëlqej
Albeu.com
Mbrëmja kur kombëtarja jonë luajti me kombëtaren e Greqisë, nuk ishte mbrëmja e "Shën Bartolemeut", por megjithatë ajo nuk i ngjante as edhe një mbrëmjeje të zakonshme. Ishte një mbrëmje e mbështjellë me tension, inate, me gëzim, me urrejtje dhe me shumë pak dashuri e respekt.Atë nuk mund ta zbuste dot as eleganca e një "fërst ledi" shqiptar si fituesja e çimimit të parë në festivalin tonë të këngës, Ledina Çelo, e cila po ndiqte "Live" takimin Greqi?Shqipëri. Atmosferën e "Karaiskakit" nuk e zbuti dot as prania e saj, por edhe as thënia e saj se futbolli është një lojë dhe duhet parë vetëm si i tillë. "Në kohën, që grekët "fyen" Himnin shqiptar, kamerat nxorën në ekran fytyrat e tyre, që çuditërisht qëndronin fare pranë njerëzve më të ngritur që kishte Greqia". Kështu shkruante dje gazeta "Goal Neës". Mallëngjim dhe zhurmë kishte në Pire kur u kënduan hymnet kombëtare të të dy vendeve. Por zhurmat ishin shumtë të forta, shkruan shtypi vendas, kur u ekzekutua Himni shqiptar. Llava e vullkanit "Karaiskakis" nuk përfshiu vetëm Pireun, ku një udhëtar i zakonshëm pakistanez u rrah barabarisht, duke paguar kështu haraçin e një tifozi shqiptar. Diçka më shumë se rreth orës 23.00, një pjesë e tifozëve grekë dolën në rrugë me makina dhe flamuj, por ata kësaj here ishin fare të pakët. Shprehja e përdorur gjatë ndeshjeve në stadiumin e Panioniosit dhe në atë të "Karaiskakit": "Nuk do të bëheni grekë asnjëherë, shqiptarë, shqiptarë" ka lënë gjurmët e veta, tek vetë opinioni i shëndoshë vendas, aq sa shtypi i sotëm stigmatizon duke shkruar se "grekët kanë harruar se Greqia është e grekërve". Tifozët vendas, të dehur nga euforia, kishin ngatërruar gjithçka. Më pas, "Era" i solli ata në sheshin tradicional të Omonias. Por ata pak tifozë që ishin grumbulluar për të ndjekur nëpërmjet një televizioni gjigand ndeshjen Greqi?Shqipëri, më shumë ishin kureshtarë vendas se sa emigrantë nga vende të ndryshme e aq më pak shqiptarë. Atëherë shpërtheu një përleshje tipike vendase, që siç ndodh shpesh, nuk dihet se përse bëhet. Lagjia "Eksarkia", që është fare pranë "Omonias" bëhet epiqendër e përleshjeve të mëdha midis policisë dhe tifozëve vendas. Lagjia tronditet nga nga të shtënat dhe flakët përfshijnë automjete të ndryshëm. Policia njofton se ka arrestuar 4 persona. Por asnjëri nuk dihet nëse i përket atij grupi, i cili, pas ndeshjes dogji edhe një flamur shqiptar. Ndërkohë, një ditë pas ndeshjes tifozët shqiptarë ende nuk e kanë marrë veten. U duket e pabesueshme humbja. Por në këtë diziluzion të tyre nuk e ke të vështirë të kuptosh edhe një farë nxehje me kuqezinjtë, të cilët nuk dhanë asgjë në ndeshjen me Greqinë. Por shqetësimi nuk është vetëm i tyre. Në kohën që po shkruaja këtë shkrim, më bie zilja e telefoni. Është një zë i largët nga Skocia, por tepër i njohur. Është Rudi Vata, një nga krenaritë e mëdha të sportit tonë. Ai ka lexuar nëpërmjet internetit shkrimet për kombëtaren dhe kërkon të dijë më konkretisht se çfarë ka ndodhur. Kujton padyshim ngjarjet e Kretës, ku pikërisht ai ka qenë protagonist i madh i asaj ndeshjeje, që haptazi na u mohua barazimi dhe thotë: "Miku im ka ardhë koha për të ndryshuar kombëtaren. Dhe ndryshimi duhet bërë nga kreu. Shqiptarët i besuan Brigelit, por ai nuk diti ta justifikonte dëshirën e të gjithëve. Ai nuk bëri asgjë për kombëtaren dhe tani kemi mbetë në pikë të hallit. Kombëtares i duhet një trajner i mirë që ta duan të gjithë futbollistët. Nuk e kam fjalën për këta të sotmit, sepse duhet ndryshuar gjithçka, por te të tjerët. Duhet punë vëlla dhe futbolli do punë më shumë se çdo sport tjetër. Dhe puna me futbollin nuk bëhet në zyra, por jashtë saj, atje ku janë, ku luajnë, ku jetojnë futbollistët e ardhshëm. Vetëm kështu do të jemi ata që kërkojmë të bëhemi. Ne kemi plot talentë në Shqipëri e jashtë saj. Por ata duhen njohur, evidentuar dhe i aktivizuar. Besoj se këto fjalë do të zenë vend në gazetën tonë të nderuar "Sporti shqiptar", faqen e së cilës e lexoj gjithnjë në internet". Kaq tha Rudi Vata, një nga simbolet e futbollit tonë. Foli shkurt dhe qartë. Ndërkohë realiteti grek të sjellë ende imazhin e ndeshjes që sapo ka kaluar. Mbresa të hidhura, fyerje deri në dhëmbje dhe shumë pak gëzim sportiv. Kjo është panorama e kësaj mbrëmjeje në Athinë. Por shtypi grek është vërtetë ngushëllues për ne kur shkruan: "Për herë të dytë në 48 orë Greqia nxori në të gjithë botën fytyrën e saj të keqe meqë shumica e sportdashësbve që ishin në stadium me tone të larta fyen Himnin kombëtar të një kombi. Kjo tregon se shumë nga ne nuk njohin as flamurin dhe as hymnin". Pas këtyre thënieve as mua nuk më mbetet gjë për të shtuar.
Shtuar më 02/04/2005, ora 22:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori